Qytetarët të kyçen në planin operativ për Parkun kombëtar


Mali Sharr tashmë është shpallur si Park kombëtar. Megjithatë, puna më e madhe fillon tash e tutje. Fillimisht Qeveria duhet të sjellë vendin për themelimin e ndërmarrjes publike, e cila do të menaxhojë me këtë park kombëtar. Ndërkaq, gjatë tetë muajve të ardhshëm pritet që të hartohet edhe plani për menaxhim me Parkun kombëtar me të gjitha detajet. Mali Sharr është shpallur si Park kombëtar në kategorinë e dytë. Metin Muharemi, nga shoqata Ced thekson rëndësinë dhe benefitet që do të sjellë parku kombëtar në aspektin ekonomik.

“Shpallja e Malit Sharr si Park kombëtar do të thotë mbrojtje për Malin Sharr, biodiversitetit, pra mbrojtjes së florës dhe faunës, ku dihet se Mali Sharr ka mbi dymijë lloje të tyre, si dhe është një potencial i madh turistik ekonomik për banorët që jetojnë në Malin Sharr dhe jo vetëm, por benefite ekonomike do të kenë edhe banorët e Tetovës dhe më gjerë. Është mali i parë që shpallet si Park kombëtar pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë dhe në të ardhmen do të jetë pjesë e ofertës turistike për vendin tonë”, thotë Metin Muharemi nga shoqata Ced, pjesë e rrjetit së platformës “Miqtë e Sharrit”.

Për të arritur deri në këtë pikë, një kontribut të madh kanë dhënë edhe shoqatat joqeveritare, të cilat kanë bërë edhe anketa me qytetarët për përparësitë që sjell kjo iniciativë. Tashmë do të ketë edhe shumë punë në teren për të vendosur kufijtë dhe shenjat. “Do të doja të apeloja deri tek qytetarët, shoqatat dhe personat tjerë që të jenë më të kyçur në procesin e ndërtimit të planit operativ. Ky plan do të jetë shumë i hapur, dhe qytetarët mund të japin mendimet, idetë dhe vërejtjet e tyre për këtë proces. Pra, qytetarët mund të njihen në mënyrë direkte se çka do të jetë e lejueshme dhe e ndaluar në të ardhmen në këtë Park kombëtar”, thekson Muharemi.

Sipas drejtorit të mjedisit jetësor, Hisen Xhemaili, Mali Sharr shkëputet nga Lugina e Pollogut në lartësinë 470 metra, ndërsa pjesa më e lartë e Sharrit është Maja e Titos 2747 metra. Sipas tij, Mali Sharr karakterizohet nga fakti se ka numrin më të lartë të majave mbi 2000 metra në Maqedoninë e Veriut, më shumë se të gjithë malet marrë së bashku. Ai thotë se 220 maja janë më të larta se 2000 metra, nga të cilat 40 maja më të larta se 2500 metra, dhe 12 maja më të larta se 2600 metra.

“Mali Sharr falë pozicionit gjeografik në të cilin ndodhet, si dhe kushteve të favorshme fiziko-gjeografike, ndërtimi gjeologjik, larmia e formave të relievit, klima e larmishme, rrjeti i pasur hidrografik, llojet e tokave si dhe biodiversiteti i shumëllojshëm që ka, zë vend me rëndësi në kuadër të vendeve evropiane për pasuri të florës dhe faunës. Konkretisht, në nivel kombëtar ai njihet si habitat i rëndësishëm ornitologjik, zonë e rëndësishme për fluturat, korridor për ariun e murrmë, zonë e rëndësishme për florën, etj. Për më tepër, një pjesë e Malit Sharr përfshihet në Rrjetin Kombëtar EMERALD, rrjet ky që vjen si detyrim i vendit tonë për të zbatuar Konventën e Bernit me qëllim ruajtjen e jetës së egër respektivisht të kafshëve dhe vendbanimet apo habitatet natyrore”, shprehet Xhemaili.