Qytetarët s’besojnë se maska mbron, u druhen gjobave (VIDEO)

Policia ka gjobitur disa qytetarë me nga 20 euro për mos vendosje të maskave në 24 orët e fundit. Nga e premtja hyri në fuqi vendimi i Qeverisë që të gjithë qytetarët e vendit të mbajnë maska ose shalle. Ky vendim u miratua si masë mbrojtëse ndaj përhapjes së virusit covid 19.

Qytetarët nuk besojnë se këto maska do t’i mbrojnë nga infektimi, por thonë se i mbajnë për tu mos u gjobitur. Madje ka të tillë që këtë vendim të Qeverisë e shohin si biznes për shitësit e maskave.

“Këto maska nuk janë valide, por bëhet përfitim i madh në këtë shtet se këto me para shiten. 50 denarë ose 1 euro copa, për këtë popull i bie nga 2 milion euro në ditë. Për sa kohë përdorët kjo maskë vetëm për 15 minuta nuk është të bartet për një javë sepse ashtu veç se e thith virusin.”

“Të mbrehemi duhet patjetër, por çfarë është e vërteta unë nuk e di. Me të vërtetë kjo u bë shumë banale me masa restriktive çdo 3 ditë.”

“Gjatë kohës së agjërimit nuk pengon maska, mendoj aspak. S’ma merr mendja që mbron nga pandemia. Por, po e mbaj për shkak të dënimeve.”

Revolta e qytetarëve është edhe ndaj rritjes së çmimit të maskave.

“Si jo, më parë ishin 10 copë për 30 denarë, tani është një 30 denarë. Çfarë të them tjetër nuk di, nuk ka ide se sa do jenë të sigurta. Siç thoshin pleqtë është vullneti i Zotit.”

“Jo, kot që djersitemi. Unë më herët jam furnizuar kështu që kam, nuk di tash si është situata. Sa besoni që do t’ju mbroj. Hiç aspak! Por, pse e bartni pra? Sepse na gjoba, nuk dua të më dënojnë.”

“Që kur filloi ndalesa të ecim pa maska, në të gjitha objektet, ku duhet të furnizohemi apo të hymë, bartim maska.”

Fillimisht, këto masa u ndërmorën 2 javë më parë në 3 komuna të cilat kanë numrin më të madh të infektuarve, pas Shkupit, dhe që trajtohen si “vatra” të CoVid-19: Kumanova, Prilepi dhe Tetova. Gjatë asaj periudhe, policia ka shqiptuar mesatarisht nga 100 vërejtje në ditë ndaj qytetarëve, të cilët nuk i kanë përdorur masat mbrojtëse në hapësirat publike.