“Qytetarët po lu*ftojnë për mbijetesë, çmimet e testeve për COVID-19 shumë të larta”


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas certifikimit të institucioneve shëndetësore private për bërjen e testit anti-Covid. KMDLNj deklaron se nëse informatat që testi për COVID-19 do të kushtojë deri në 50 euro, kurse ai serologjik 20 euro, kjo është e papërballueshme për qytetarët “Nëse ingormatat janë të sakta, testi anti COVID kushton 50 euro kurse ai serologjik, në institucionet shëndetësore private kushton 20 euro që, në rrethanat e rënduara ekonomike kur një numër i madh i qytetarëve të Kosovës lufton për të mbijetuar, kjo shumë është e papërballueshme”, thuhet në komunikatën e KMDLNj’së.

KMDLNj ka kritikuar ministrin aktual të Shëndetësisë, Armend Zemajn, dhe ish0ministrin Arben Vitia, për numrin minimal të testimeve.
“Ministria e Shëndetësisë, ajo e Vitisë dhe kjo e Zemajt , kanë marrë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës dhe shumë donacione nga Bashkësia ndërkombëtare për luftë kundër pandemisë mirëpo krahasuar me vendet e rajonit , numri i të testuarve është minimal në ndërkohë që numri i të infektuarve dhe viktimave është jashtëzakonisht i madh”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

KMDLNj deklaron se nëse informatat që testi për COVID-19 do të kushtojë 50 euro, janë të vërteta, kjo do të vështirësojë gjendjen e shtresave më të rrezikuara.
“Tash, nëse ky çmim prej 50 eurosh është i vërtetë, kjo edhe më shumë do ta vështirësojë gjendjen e shtresave më të rrezikuara ndërsa këta që i kanë të gjitha mundësitë, duke përfituar pameritueshëm, vetëm sa ndikojnë në rritjen e numrit të të vdekurve”

“Fillimisht pezullimi i Udhëzimit Administrativ për çmimin e barnave që siguronte mundësi për shtresat e rrezikuara të blejnë barna e që përkohësisht u hoq dorë nga kjo dhe licencimi i institucioneve shëndetësore private, me çmime të kripura, mund të jetë hyrje dhe mundësi për një korrupsion pandemik nëse nuk monitorohet, auditohet dhe hetohet në rast se ka dyshime për shpërdorime. KMDLNj është kundër diskriminimit flagrant që iu bëhet qytetarëve të Kosovës me ç’rast po rrezikohet shëndeti i pjesës dërrmuese të qytetarëve që e kanë shumë të nevojshme, në emër të mbrojtjes së një pakice, padrejtësisht të privilegjuar!”, thekson komunikata.