Qytetarët pa maska e pa distancë fizike në vendvotime

Qytetarët e vendit që nga ora 07:00 e mëngjesit janë duke votuar për të zgjedhurit e tyre në Qeveri e Kuvend. Procesi i votimit është duke u shoqëruar me shkelje të masave anti-COVID, ku në qendrat e votimit, shihen grumbuj të njerëzve të cilët nuk respektojnë distancën, e në disa raste janë edhe pa maska. Në dy qendra të votimit në Prishtinë, në shkollën “Naim Frashëri” dhe shkollën “Faik Konica”, shihen grumbuj të njerëzve teksa presin për ta ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.

Se nuk ka respektim të masave anti-COVID, kanë deklaruar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilët janë duke e monitoruar procesin e votimit në të gjithë vendin përmes 51 vëzhguesve të tyre.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha për KosovaPress, se në të gjitha qendrat e votimit nuk po respektohen masat anti-COVID, madje ai thotë se këto masa po shkelen edhe nga vëzhguesit e zgjedhjeve.

“Në të gjitha qendrat e votimit nuk është se po respektohen masat që lidhen me parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19. Fatkeqësisht pothuajse edhe komisionerët edhe vëzhguesit po edhe të gjitha ata që po marrin pjesë qytetarët që po votojnë nuk është se po e respektojnë distancën pothuajse fare. Në shumë raste nuk e mbajnë maskën, kështu që në këtë aspekt besoj që nuk kemi respektim ose kemi shkelje të rregullave për parandalimin e sëmundjes COVID-19”, tha ai.

Ai tha se numri i madh i votuesve që po shfrytëzojnë të drejtën e tyre po shkakton tollovi nëpër korridoret e qendrave të votimit. Miftaraj tha se nga monitorimi kanë vërejtur se në të gjitha shkollat ka shenja që kërkojnë respektimin e masave anti-COVID, dezinfektues, por që tha se nuk kanë vërejtur se ka maska për qytetarët.

“KQZ si duket i ka ndërmarrë të gjitha masat që kanë të bëjnë me parandalimin e kësaj sëmundje, pothuajse shenjat janë vendosur, në çdo vendvotim ka dezinfektues, ka shenja që në një farë mënyre e informojnë qytetarët dhe ata të cilët do të duhej të mirëmbanin këtë proces. Por, që fatkeqësisht e përsëris nuk është që janë duke u respektuar qoftë nga qytetarët, po që është edhe më shqetësuese nga personat kompetent të cilët janë të akredituar ose të certifikuar nga ana e KQZ-së për mbarëvajtjen e procesit…nuk është se kemi identifikuar ndonjë rast ku ka maska, sidoqoftë dezinfektues ka pothuajse në të gjitha vendvotimet është e vendosur një tavolinë ku qytetarët mund të bëjnë dezinfektimin e duarve”, tha ai.

Përndryshe, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11;00 kanë votuar 8.3 përqind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues.