Qytetarët kundërshtojnë çmimin e biletës për një vozitje

Bileta për një vozitje me çmim prej 50 denarësh tashmë në dispozicion për udhëtarët po merr kritika të shumta për shumën e saj. Qytetarët shprehen të revoltuar duke nënvizuar se kushtet ekonomike nuk përballojnë një shumë kaq të lartë të biletave për transportin publik vetëm për një vozitje.

“Shumë është, vërtetë shumë është për një vozitje. Edhe 30 denarë ishte por përballohej disi ama 50 denarë është shumë”.

“Nuk është në rregull, kjo është shumë, mirë ishte 35 denarë, ajo është në rregull a kjo që e kanë bërë 50 denarë kjo është katastrofë. Unë e kamë për pensionistë, po nuk bëhet fjalë vetëm për mu, duhet me menduar edhe për tjerët”.

“Kjo është punë jo normale, gjithkund në botë një biletë vlen për gjithë ditën ndërsa te ne vjedhje e rëndë”.

Për dallim nga banorët e Shkupit, bileta është mirëpritur nga banorët që vijnë nga qytetet tjera.

“Mendoj që është praktike, ne vijmë nga Negotina dhe nuk kemi kartelë autobusi. Është punë e mirë”.

Nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik thonë se çmimi është i arsyeshëm. Thonë se nuk bëhet fjalë për shtrenjtim të transportit publik pasi kartela “Skopska” vazhdon të mbetet me çmimet e njëjta varësisht nga kategoria e vozitjeve.

Këto bileta u dedikohen qytetarëve të cilët rrallë herë përdorin transportin publik e nuk posedojnë kartelë “Skopska” që është bazë për shfrytëzimin e transportit publik. Është një lehtësim për turistët, ata që nuk janë qytetarë të Shkupit dhe për një rast përdorin transportin publik. Thjesht, hyn në autobus, blejnë biletë dhe nuk ka nevojë të shkojnë në pikat e shitjes – deklaroi Despina Trajkovska Dimova, zëdhënëse e NQP-së.

Për momentin, biletat për një vozitje mund të blihen në të gjithë autobusët e NQP-së dhe pikat e shitjes të ndërmarrjes në fjalë. Autobusët privat do të presin edhe për pak për tu furnizuar me të njëjtat. Përveç biletës mujore, NQP-ja ofron lloje të ndryshme të biletave për transportin publik dhe atë me çmime të ndryshme. Mes tyre janë kartelat me 10 vozitje që kushtojnë 250 dhe 300 denarë por të njëjtat duhet të shfrytëzohen brenda 15 ditëve.