Qytetarët e Maqedonisë ende nuk mund të udhëtojnë në Gjermani si turistë


Qytetarët e Maqedonisë së Veriut akoma nuk mund të udhëtojnë në Gjermani si turistë, pasi vendimi nuk ka hyrë në fuqi nga autoritetet gjermane.
Kështu thonë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, përcjell Telegrafi Maqedoni, prej ku kërkojnë falje për informacionin e publikuar të shtunën, ku informuan se shtetasit e RMV-së do të mund të udhëtojnë në Gjermani me arsye turistike. Tani thonë se ky vendim akoma nuk ka hyrë në fuqi.

“Ky vendim nuk është në fuqi, megjithëse ne si aeroport kemi marrë informacion nga partnerët tanë se qytetarët e Maqedonisë do të jenë në gjendje të udhëtojnë pa dhënë arsye thelbësore për udhëtimin, dhe i njëjti informacion ishte në sistemin tonë të aviacionit, në të cilin përditësohen rregullat/kufizimet e fundit të udhëtimit për shkak të Covid-19, që zbatohen në vende të ndryshme. Në ndërkohë, ne kemi marrë informacion të korrigjuar se ende nuk është e mundur të udhëtohet në Gjermani për arsye turistike dhe ne e ndajmë këtë me ju. Ju kërkojmë falje për gabimin e paqëllimtë”, njoftojnë nga Aeroporti i Shkupit.

Më tej shtojnë se janë duke pritur informacione shtesë nga institucionet kompetente dhe Ambasada e Gjermanisë.
“Detajet e tjera në informacionin që publikuam më 12 qershor 2021, janë të sakta. Gjegjësisht, Republika e Maqedonisë nuk është më në listën e vendeve me rrezik për Covid-19 të Gjermanisë, që do të thotë se hyrja në këtë vend për qytetarët e Maqedonisë është e mundur vetëm nëse ata i përkasin të ashtuquajturës “pasagjerët thelbësorë” dhe tregojnë test negativ për Covid-19 ose dëshmi të vaksinimit. Në të njëjtën kohë, formulari i vendndodhjes së pasagjerëve (Passenger Locator Form) i kompletuar në mënyrë elektronike ,nuk është më parakusht për të hipur në aeroplan”, thonë Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.