Quçuk: Zgjedhjet ishin të ndershme, opozita vendin e ka në Parlament

AFET Committee meeting - Exchange of views with Nikola Dimitrov, Minister of Foreign Affairs of the Republic of North Macedonia

Zgjedhjet e 15 korrikut ishin megjithatë të ndershme në një situatë të vështirë pandemie. Qytetarët ushtruan të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do ta drejtonte vendin në fazat komplekse të Maqedonisë së Veriut. Kështu në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA thotë raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ilhan Quçuk, ndërsa theks të veçantë i vë paralajmërimit të opozitës shqiptare për bojkot të institucioneve që pritet të udhëhiqen nga LSDM-BESA-BDI.

“Unë besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut zhvilloi zgjedhje të ndershme dhe të ligjshme në një situatë jashtëzakonisht të vështirë të një pandemie globale. Qytetarët e vendit ushtruan të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do ta drejtonte Maqedoninë e Veriut nëpër fazat thelbësore të negociatave komplekse të pranimit në BE”, thotë për KOHA, raportuesi i PE-së, Quçuk, ndërsa përmend rolin e opozitës bullgare në kohën kur Sofja zyrtare u bë pjesë e BE-së.

“Nga përvoja personale me Bullgarinë, mund t’ju them se gjatë gjithë këtij procesi opozita mund të luajë një rol shumë konstruktiv dhe pozitiv, por jo duke bojkotuar institucionet demokratike. Opozita e ka vendin në Parlament”, thotë Quçuk.
Është e qartë se, shprehet ai, qytetarët dëshirojnë të lidhin të ardhmen e vendit me Bashkimin Evropian.

“Ne e pranojmë këtë fakt dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Parlamentin dhe qeverinë e sapozgjedhur, përfshirë kontakte të vazhdueshme me opozitën. Institucionet funksionale, veprimet e të cilave monitorohen nga afër nga një opozitë e përkushtuar, janë të nevojshme për të drejtuar vendin drejt rimëkëmbjes nga pandemia dhe për të ndjekur reformat, në vend që të dëmtojnë të ardhmen e saj…”, thotë eurodeputeti Quçuk.