Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Quçuk, në intervistën për MIA-n, flet për nevojën e organizimit të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike sa më shpejtë që të jetë e mundshme, në mënyrë që shteti të ketë Qeveri funksionale që mund të marrë përsipër përgjegjësinë dhe Parlament, që do të mund ta kontrollojë punën e saj.
Në bisedën, raportuesi përqendrohet edhe në mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes dhe paralajmërimet për bllokadë të mundshme të bisedimeve për anëtarësim nga Bullgaria. Ai bën thirrje që komisioni i përbashkët i historisë të vazhdojë punën e tij, derisa politikanët, shprehet ai, duhet të merren me të ardhmen.
Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut tani zhvillohet rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë çështje?
Pa ndërhyrë në punët e brendshme, kuptohet se vendi ka ligje, ka Kushtetutë që duhet të respektohen, por shikuar nga Brukseli si raportues për vendin, është interes edhe i Bashkimit Evropian edhe i Maqedonisë së Veriut që kjo e fundit të ketë zgjedhje që do të jenë demokratike, korrekte dhe të lira dhe të cilat do të japin mundësi për formimin e Qeverisë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, në mënyrë që të ketë Parlament funksional, që do të kontrollojë vendimet që do t’i marrë pushteti. Ne shikojmë se si do të zhvillohen proceset dhe në bazë të zgjedhjeve të mbajtura, Komisioni Evropian do të dalë me raportin e saj, e edhe ne në Parlamentin Evropian do të kemi rezolutën tonë pas raportit për përparim.
Vallë fakti që nuk ka Parlament dhe pushtet funksional është problem për shpalljen e këtyre raporteve të KE-së dhe të PE-së, që priten në qershor?
Çdo pushtet teknik është i kufizuar në mandatin e tij dhe në kompetencat e tij, këtë e dimë, nuk është sikur kur ka pushtet të mirëfilltë që mund të marrë përgjegjësinë dhe kuptohet edhe Parlamenti luan rol thelbësor. Më së miri është që të ketë qeveri të formuar politike që do të ketë përgjegjësinë para qytetarëve të Maqedonisë, do të mund të marrë përsipër obligime para partnerëve ndërkombëtarë dhe të ketë korrigjues në Parlament, kështu funksionon çdo demokraci.
Rreth krizës shëndetësore, në përgjithësi sa është e mundshme të organizohen zgjedhje në kushte të pandemisë?
Unë nuk jam ekspert mjekësor dhe nuk mund të vlerësoj se si do të jetë gjendja mjekësore në shtator ose tetor për shembull, askush nuk mund të tregojë nëse do të ketë valë të dytë ose të tretë. Autoritetet gjermane, instituti “Koh”, paralajmëruan një mundësi të tillë.
Shikuar nga rajoni ynë shikojmë se do të mbahen zgjedhje në Serbi, në Kroaci, kështu që kjo është çështje politike, ndërsa kryesor duhet të jetë interesi i qytetarëve dhe shëndeti i tyre.
Vallë në rezolutën tuaj do t’ia kushtoni një pjesë kontestit me Bullgarinë rreth gjuhës dhe personaliteteve historike? Si do t’i qaseni kësaj çështjeje?
Marrëdhënie bilaterale nuk janë pjesë e kornizës së bisedimeve, por dua të them edhe se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë e një procesi të bisedimeve. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë shtete fqinje, miqësore dhe ndajnë histori të përbashkët dhe besoj edhe ardhmëri të përbashkët në Bashkimin Evropian. Gjatë muajve të fundit janë thënë fjalë të rënda, ndërsa e dimë se fjalët kanë veprim të vazhduar në politikën. Ato rëndojnë. Nuk duhet me një dorë të fshijmë gjithçka që është arritur, nuk mund t’i kthehemi vazhdimisht pikës burimore, do të duhet të kërkohen formulime të përbashkëta. Prandaj edhe është formuar komisioni historik, interes i të gjithë neve është që komisioni të vazhdojë të punojë, ndërsa politikanët të krijojnë kushtet për kontakte ekonomike, kulturore dhe njerëzore. E them këtë si njeri i cili mendon në të ardhmen. Mendimi im është se partia në pushtet në Maqedoninë e Veriut gjithmonë i ka pranuar dy marrëveshjet, me Bullgarinë dhe me Greqinë, si pjesë e rëndësishme e politikës së vendit, si hapa të rëndësishme në hapjen e rrugës drejt BE-së dhe NATO-s. Ky është qëndrimi i institucioneve të BE-së: të respektohen marrëveshjet e fqinjësisë së mirë, të përmbushen dhe së bashku të ndërtojmë ardhmëri. Nuk shikoj arsye që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të jenë armiq, shikoj logjikën që të jenë miq më të mirë dhe më të ngushtë në BE, si Gjermania dhe Austria për shembull. Kolegët e mi gjermanë dhe austriakë kuvendojnë së bashku, kanë iniciativa të përbashkëta. E kundërta do të ishte gabim historik.
A mendoni se Bullgaria do ta bllokonte fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve?
Nuk ka pozicion zyrtar. Dëgjova intervistën e zonjës Zaharieva (ministrja e Jashtme e Bullgarisë – sh.a.) e cila konfirmoi se nuk ka pozicion zyrtar të vendit.
Hapa konkret nga të dyja palët do të ndihmonin që të tejkalohet kontesti sipas jush?
Komisioni i historisë duhet të vazhdojë punën dhe të ketë mandat të gjerë. Konsideroj se ishte gabim që në disa muajt e fundit ajo nuk mbajti mbledhje. Ajo duhet të jetë funksionale dhe të kuvendojë, t’u jepet mundësi historianëve që t’i zgjidhin çështjet historike, ndërsa politikanët të shikojnë drejt së ardhmes. Interesi modern edhe i Bullgarisë edhe i Maqedonisë së Veriut edhe i BE-së është që Ballkani Perëndimor të jetë fushë e prosperitetit, sigurisë dhe stabilitetit, kjo mund të ndodhë vetëm në BE. Detyra ime si raportues është që të dyja palët të afrohen maksimalisht. Maqedonia e Veriut t’i bashkohet maksimalisht BE-së dhe të bëhet anëtare. Gjëja e dytë që është shumë e rëndësishme është që të mos shprehen fjalë të rënda, as para zgjedhjeve, as pas, as gjatë zgjedhjeve. Për shkak se ato kanë peshën e tyre.
Më në fund, a mund të presim shpallje të kornizës së bisedimeve dhe të raporteve të BE-së në qershor?
Deshëm të jetë ashtu, por nuk po marr sinjale të tilla, siç duket do të jetë më vonë. Prandaj përsëris se mbajtja e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike me një pushtet që ka përgjegjësi politike dhe Parlament funksional janë kyçe për marrëdhëniet mes Shkupit dhe Brukselit.