QSHP përfundoi anketat epidemiologjike, a do të shkojnë deputetët në izolim?!

Asnjë deputet ose i punësuar në shërbimet parlamentare nuk do të shkojë në izolim për shkak të Kovid-19, kjo pasi ishte njoftuar se dy deputetë janë pozitivë në virusin. Këtë për MIA-n e bëri të ditur drejtori i Qendrës për Shëndet Publik (QSHP), Aleksandar Stojanov i cili tha se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut respektohen të gjitha masat dhe rekomandimet për parandalimin e Kovid-19.

Deputeti Laze Tanevski nga LSDM-ja, sot përmes profilit të tij në Fejsbuk kumtoi se është pozitiv në Kovid-19, ndërsa dje shërbimet e kuvendore informuan për deputetin Ismail Jahoski nga BDI-ja. Tanevski ka bërë test për kovid pasi ka dashur të udhëtojë jashtë vendit me familjen dhe është në izolim në kushtë shtëpiake, derisa Jahoski ka pasur rritje të temperaturës dhe është hospitalizuar në Klinikën infektive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, para kësaj deklaroi se gjatë ditës do të dihet se sa deputetë duhet të shkojnë në vetizolim, pasi ende përpunohen anketat epidemiologjike.
Nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, madje nuk komentojnë se si do të zhvillohet puna e Dhomës ligjvënëse gjatë javëve të ardhshme.

Xhaferi paraprakisht disa herë paralajmëroi se puna e Parlamentit duhet të harmonizohet me kushtet e reja për punë, por që kjo të ndodhë duhet ndryshim i Rregullores së Kuvendit për punë. Partitë në pushtet, të udhëhequra nga LSDM-ja, vlerësojnë se Parlamenti duhet të ketë mundësi për punë onlajn, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare vlerëson se Kushtetuta këtë nuk e lejon.

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, sot tha se rekomandimi i tij dhe i Komisionit për sëmundje infektive, nga fillimi i krizës është që secili që mund të punojë nga shtëpia, ta bëjë këtë onlajn, e ky rekomandim ka të bëjë edhe me deputetët.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, deklaroi se Kuvendi duhet të fillojë të punojë onlajn, duke theksuar se veçmë pasnesër Qeveria do të mbajë seancë përmes aplikacionit Zum.