QPS i ofron strehim 11 vjeçares së dhunuar nga 5 persona

Kryetari i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku, ka bërë të ditur se kjo qendër ka marrë të gjitha hapat dhe veprimet për t’i ofruar përkrahje, strehim dhe shërbime profesionale për 11-vjeçaren e dhunuar nga pesë persona. Mujku tha se të gjithë hapat dhe veprimet për t’i ofruar përkrahje të miturës janë marrë që nga momenti kur janë vënë në dijeni si qendër në lidhje me rastin.

“QPS gjatë gjithë kohës është në bashkëpunim me të gjithë akterët e përfshirë në rast bazuar në legjislacionin në fuqi dhe standardeve e procedurave”.
“Rasti është shumë i ndjeshëm, kërkojmë me shumë mirësi që në çdo postim të ruhet identiteti i të miturës viktimë dhe identiteti i të miturve të përfshirë në rast”, ka shkruar Mujku. Tutje, ai tha se do të vazhdojnë të sigurojnë dhe ofrojnë të gjithë përkrahjen profesionale për të miturën, bazuar në nevojat e identifikuara dhe në bazë të përgjegjësive ligjore e profesionale.

“Edhe në këtë rast do të bashkëpunojmë ngushtë me nivelin qendror dhe organizatat e shoqërisë civile për trajtim dhe ofrim të shërbimeve sa më kualitative”, shkroi Mujku. Kujtojmë se në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares tashmë janë arrestuar pesë personat që dyshohet se janë të përfshirë në rast.