QKUK jep detaje për gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi në Ferizaj

Mjekët kujdestarë në QKUK kanë dhënë detaje për të lënduarit nga shpërthimi i fuqishëm në Ferizaj. Ata kanë bërë të ditur se deri tash në QKUK janë transferuar 14 persona, të cilët kanë lëndime të ndryshme.

“Nga ora 15:00 nga Spitali i Ferizajt na është kumtuar për një shpërthim ku ka pasur shumë të lënduar. Gjendja momentale e tyre është stabile edhe pse momentalisht e rëndë. Pesë janë trajtuar në sallën operative, teksa edhe katër prej tyre do të futën pastaj”, ka thënë njëri nga mjekët kujdestar.
Ai ka thënë se nga të lënduarit, më i riu është një person i lindur në vitin 2002.

2002 është më e ulëta moshë, teksa 49 ma e larta. Gjendja e tyre është mesatarisht e rëndë nga plagët në pjesën e sipërme të trupit dhe në fytyrë”, kanë thënë nga QKUK.

Ndërkaq më herët gjatë ditës u bë e ditur se në gjendje më të mirë janë pacientët në Ferizaj të cilët kanë pësuar lëndime më të lehta.