Qiraxhiu i pret kokën me shpatë të zotit të shtëpisë pas debatit për qeranë


Një burrë nga Connecticut në SHBA përballet me akuza vrasjeje pasi duke përdorur një shpatë model “katana” i ka prerë kokën të zotit të shtëpisë pas një debati për pagesën e qerasë.

42 vjeçari Jerry David Thompson nuk kishte shumë që ishte vendosur në një dhomë që kishte marrë me qera nga Victor King, 64 vjeç, ish-agjent sigurimesh në pension dhe lujtar i njohur i ‘bridge’.

Kur King ngriti akuzat se Thompson nuk po paguante në kohë qiranë e shtëpisë, nisi një argument i cili mori një kthesë vrasëse pasi qiraxhiu nxorri shpatën e tij samurai dhe sulmoi qiradhënësin.

Policia dhe zjarrfikësit gjetën trupin e përgjakur të King pasi ishin njoftuar nga të afërmit e tij.

Policia më pas ndaloi dhe Thompson i cili refuzoi të bashkëpunonte me hetuesit, duke thënë se ishte një “qytetar sovran” dhe jo subjekt i autoriteteve apo qeverisë federale.

Ai i referohej asaj që njihet si “lëvizja sovrane” në SHBA, anëtarët e së cilës besojnë se në një fazë të caktuar të historisë së SHBA, një korporatë njerëzish ka uzurpuar pushtetin kushtetues të vendit dhe pasi nxorri qeverinë të falimentuar ia la vendin një “grupi të errët bankierësh ndërkombëtarë”.

Kështu që “qytetarët sovranë” besojnë se duke denoncuar autoritetet ilegjitime dhe të korruptuara, mund të bëhen qytetarë të lirë.

Pas disa përplasjeve të “sovranëve” me autoritetet e rendit, disa anëtarë të tyre janë shpallur terroristë të brendshëm nga FBI.

Vrasja e rëndë e pronarit vjen në një kohë kur ekonomistët paralajmërojnë një valë të gjerë dëbimesh nga shtëpia në SHBA kësaj vere.

Ekspertët e grupit ‘COVID-19 Eviction Defense Project’ thonë se 20 deri në 28 milionë njerëz mund të bëhen të pastrehë në SHBA deri në shtator.