Qindra të tjerë evakuohen pasi llava në ishullin La Palma ndryshon rrugën

Autoritetet në ishullin spanjoll La Palma kanë urdhëruar rreth 750 banorë të evakuojnë shtëpitë e tyre, pasi një rrjedhë e lavës po kërcënon të përfshijë më shumë lagje të ishullit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shpërthimi vullkanik tashmë ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në ishull rreth 6 mijë persona, por një rrjedhë e re e lavës që vullkani lëshoi të shtunën po lëviz ngadalë drejt më shumë zonave në bashkinë Los Llanos de Aridane.

Banorëve iu dha gjashtë orë kohë për të marrë kafshët e tyre dhe pasuritë më të rëndësishme të tyre dhe për t’u zhvendosur në një zonë më të sigurt.
Kjo rrjedhë e re e lavës tashmë ka shkatërruar një zonë industriale aty pranë. Dje, rreth 3.500 personave u është thënë të qëndrojnë brenda për shkak të gazrave toksike të shkaktuara nga lava që erdhi në kontakt me një fabrikë të çimentos.

Vullkani ‘La Cumbre’ ka lëshuar lavë që nga 19 shtatori dhe ekspertët thonë se vullkani nuk po tregon shenja se do të ndalojë.
Aktiviteti sizmik mbetet i lartë, me Institutin Gjeografik Kombëtar të Spanjës (IGN) që raportoi 64 tërmete brenda pak orësh, prej të cilëve më i fuqishmi ishte me magnitudë 4.1.
Deri më tani, vullkani ka shkatërruar mbi 1.200 ndërtesa dhe pothuajse 600 hektarë tokë.