Qeverisë së Kosovës i kërkohet ta zbardhë vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

Hafiz Gagica ka kujtuar vëllëzërit Gërvalla dhe Kadri Zekën, shkruan Syri.net Kosova.

Gagica përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sot e për mote do të përulen me dhimbje dhe krenari kombëtare për punën dhe sakrificën e tre lajmëtarëve dhe heronjve të lirisë së Kosovës, Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës, të cilët më 17 janar të vitit 1982 nga dora kriminale e UDB-së ish jugosllave në Untergrupenbach afër Heilbronn-it në Gjermani, u vranë mizorisht!

Ai shprehet se amanetin që e kanë lënë këta tre martirë duhet ta çojmë në vend që dy shtetet tona t’i zhvillojmë dhe forcojmë ekonomikisht, të vendosim vetë për fatet dhe të ardhmen tonë më të sigurt, si njerëz të barabartë në mesin e popujve të Evropës!

Postimi i plotë:

Amanetin e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, duhet ta bëjmë realitet..!

Sot, e mote do përulemi me dhimbje dhe krenari kombëtare për punën dhe sakrificën e tre lajmëtarëve dhe heronjve të lirisë së Kosovës, Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës, të cilët më 17 janar të vitit 1982 nga dora kriminale e UDB-së ish jugosllave në Untergrupenbach afër Heilbronn-it në Gjermani, u vranë mizorisht!

Këta tre martirë të kombit u detyruam t’i varrosim në Bad Cannstatt afër Shtutgartit, meqë regjimi ish jugosllav nuk lejonte që trupat e tyre t’i përcillnim në Kosovë, kështu që deri në vitin 2002 ata u prehen në Gjermani, kur më në fund do i kthehen gjirit të tokës së Kosovës.

Për 20 vite rresht varret e tyre në Bad Cannstatt ishin shndërrue në simbol dhimbjeje dhe krenarie kombëtare, ku mërgata jonë në nderim të veprës dhe sakrificës së tyre për atdhe, me lot dhe vaje në sy përulej para varrezave të tyre, duke u betue, se do ta vazhdon realizimin e ëndrrave dhe idealeve të tyre deri në çlirim të plotë të Kosovës!

Vepra dhe ideali i tyre për liri dhe çlirim nga robëria e gjatë serbosllave, u bë realitet më 12 qershor të vitit 1999, gjegjësisht me 17 shkurt 2008, me pavarësimin e Kosovës, por fatkeqësisht akoma nuk është zbardh vrasja e tyre, siç nuk kemi ende as dënime meritore të kriminelëve serbë për masakrat e shumta që i kanë bërë ndaj mijëra shqiptarëve në Reçak dhe gjithandej Kosovës!

Për këtë rast kam kërkue vazhdimisht që institucionet dhe Qeveria e Kosovës duhet ta formojnë një komision të posaçëm i cili do i fillonte negociatat me qeverinë gjermane për zbardhjen e vrasjes së Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të afërt, se a kishte në mesin e tyre persona që e informonin shërbimin e UDB-së jugosllav për lëvizjet e tyre, me qëllim që të zbardhet vrasja makabër e 3 heronjve !

Sikur të ishte sot gjallë Jusufi, do thoshte; “Tani e kemi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit, por këtu nuk përfundojnë aspiratat tona kombëtare për bashkim, dhe se ditë e natë duhet punue për shtetin e Kosovës”!

Amanetin që na e lanë këta tre martirë duhet ta çojmë në vend që dy shtetet tona t’i zhvillojmë dhe forcojmë ekonomikisht, të vendosim vetë për fatet dhe të ardhmen tonë më të sigurt, si njerëz të barabartë në mesin e popujve të Evropës!

Qoftë i përhershëm kujtimi për Jusufin, Kadrinë dhe Bardhoshin !

Prishtinë, 17 Janar, 2022
https://www.facebook.com/hafiz.gagica/posts/10227091135528174