Qeveria vendos – Nuk mund të bleni vaj sa të doni, sasia e kufizuar

Nëse shkoni në market dhe dëshironi të blini shumë litra vaj, nuk do të mundeni.
“Nuk besoj se do të blinit 40 litra vaj për përdorim vetjak, vetëm nëse nuk e shisni në zinxhir tjetër…”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vendimin për shitje të kufizuar të vajit nëpër markete, Ministria e Ekonomisë e solli me qëllim që vaji të mos blihet pa nevojë, e me këtë edhe të mund të keqpërdoret nga tregtarët më të vegjël, të cilët sipas të parit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, vajin mund ta shesin edhe jashtë vendit.

“Në vendin tonë konsumi i vajit është maksimum rreth 3-4 litra për amvisëri. Duke e pasur parasysh se dyfish është rritur konsumi këto ditë, veçanërisht në disa rajone. Në atë të Ohrit dhe Strugës konsumi është rritur mbi trefish”.

Nëse dikush shkon dhe kërkon të blejë sasi të mëdha vaji, marketet mund ta informojnë Inspektorati tregut të cilët do ta ndalonin një gjë të tillë. Por nga ana tjetër u është lënë në dorë vetë marketeve që të vendosin se sa sasi vaji mund të blejë një blerës.

“Deri të martën, kur të kemi seancë të qeverisë, në rast se masa nuk respektohet plotësisht, nga marketet dhe blerësit, do të sjellim vendim me të cilin në mënyrë decide do të kufizojmë sasitë”.

Bekteshi siguroi se askush nuk do të mbetet pa vaj, por vendimi për kufizim të blerjes ka sjellë reagim të opozitares VMRO-DPMNE.

“Ministri i Ekonomisë Bekteshi në një deklaratë pohon se Maqedonia ka mjaftueshëm vaj për gatim, ndërsa në anën tjetër kërkojnë që tregtarët ta kufizojnë shitjen. Në fund, mesazhi i qeverisë është se vaj ka, por mos blini”.

Aktualisht çmimi i një litri vaj luledielli në markete është rreth 120 denarë. Qeveria ka sjellë vendim që vaji të shitet pa TVSH, ndërsa është vendosur edhe marzhë për çmimin e të njëjtit.
VIDEO