Qeveria shpërblen mjekët, por a do marrin 20% më shumë pagë të gjithë punonjësit shëndetësorë?

Qeveria ka vendosur që t’i shpërblejë doktorët dhe punonjësit shëndetësor për kontributin kundër luftës ndaj Covid-19. Dy muajt e ardhshëm rritje prej 20% të rrogave do të ketë për epidemiologët, të punësuarit në Spitalin për sëmundje infektive, Repartet Infektive, Instituti për shëndet publik, Qendrat për shëndet publik, si dhe të punësuarit në ndihmën e shpejtë. Lajmin e kumtoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. E pas kësaj menjëherë shpërthyen komentet e doktorëve nga repartet e tjera. Më të zëshëm ishin teknologët e rentgenit, të cilët thonë se të gjithë pacientët me korona kanë kaluar në duart e tyre, si dhe mjekët e SPQ “8 Shtatori” ku trajtohen pacientët e infektuar.

Komente facebook:

“Turp! Ku është “8 Shtatori” të shpërblehet? Njëherë nuk keni ardhur të na shihni si punojmë.”

“Nuk ju vjen turp në “8 Shatorin” janë trajtuar dhe ende trajtohen numri më i madh i pacientëve pozitiv.”

“E teknologët e rentgenit përse nuk janë përfshirë në rritjen dy mujore. Për disa ka për disa nuk ka.”

“Ku janë repartet e Rentgenit, çdo pacienti me Covid i është bërë incizim i mushkërive.”

Sindikata e Qendrës klinike e përshëndeti iniciativën e Ministrisë së Shëndetësisë por kërkoi shpërblim më të lartë për punonjësit shëndetësorë. Kryetari i Sindikatës Goran Begoviq tha se duhet të shpërblehen të gjithë punonjësit shëndetësorë bashkë me personelin teknik, që kanë rrezikuar veten dhe familjarët e tyre.

“Në çka janë ekspozuar të punësuarit, në çfarë rreziku, në çfarë prishje të jetës së tyre të përditshme, të familjes së tyre, stresi, izolimi nga të afërmit , kështuqë ne si sindikatë mendojmë që shpërblimi të jetë i njëpjesshëm, në lartësinë e pagës së tyre, e nëse është në dy pjesë, nga gjysmë page për dy muaj, apo nga 50%”, tha Goran Begoviç, Sindikata e Qendrës Klinike.

Edhe Shoqata e mjekëve privat vlerëson se vendimi për shpërblime është selektiv.

“Vetë kemi blerë mjete për dezinfektim, maska, doreza, pajisje, pleksiglas dhe UV llamba, preparate për dezinfektimin e dyshemeve, kemi pastruar pandërprerë. Vlerësoj se, nëse Qeveria ka vendosur të shpërblejë nga 20% për dy muaj, pra me shumë të caktuar doktorët nga repartet Infektive dhe Ndihma e shpejtë. Vendimi është për tu përshëndetur, çdo herë kur të shpërblehen doktorët është në rregull, sepse ata shpëtojnë jetë, por nuk është në rregull që vendimi të jetë selektiv”, tha Lilija Çollakova Dervishova, Shoqata e Mjekëve Privat. 

I pari i Shëndetësisë Venko Filipçe pas reagimeve të shumta doli me qëndrimin se rritja e pagave për 20% do të ketë për të gjithë të punësuarit shëndetësorë.

“Bëhet fjalë për shpërblim prej 20% nga rroga bazë, dhe kjo do t’i përfshin të gjithë që janë përfshirë në punën me pacientë me virusin korona dhe përfshin të gjitha institucionet në shtet. Në pyetjen konkrete, po është i përfshirë edhe Spitali “8 Shtatori” , Qendra klinika, të gjitha spitalet dhe qendrat për shëndet publik, të mos i numëroj të gjitha. Këtu nuk përfshihen vetëm punonjësit shëndetësorë, por edhe ata joshëndetësorë. Përveç mjekëve dhe infermiereve edhe personeli teknik ndihmës do të shpërblehet”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Ndryshe në vendin tonë me virusin korona janë infektuar rreth 240 punonjës shëndetësorë.