Qeveria propozon pensionimin me 68 vjet, për të shpëtuar fondin pensional


Nëse synohet të eliminohen deficitet në rritje të vazhdueshme të kontributeve të AHV deri në vitin 2040, duhet të rritet mosha e daljes në pension për 3 vjet, gjegjësisht nga 65 sa është sot, në 68.
Kështu kalkulon të paktën Këshilli Federal i Zvicrës.

Dhoma e Kantoneve e Parlamentit Federal fillon javën e tretë të sesionit pranveror me debatin e madh mbi reformimin e AHV (Fondi i pensioneve të moshës dhe trashëgimisë), transmeton albinfo.ch. Në mënyrë që të riorganizohet fondi i pensioneve, i cili po shënon deficit, Këshilli Federal ka propozuar të rrisë moshën e pensionit për gratë nga 64 në 65 vjeç.

Reforma përfshin periudhën deri në 2030.
Por çfarë do të duhej bërë që shpenzimet e AHV në vitin 2040 të mos jenë më të mëdha se të ardhurat – d.m.th. të mos ketë deficit?
Këtë pyetje i ka shtruar deputeti i SVP-së ngaBerna Lars Guggisberg, Këshillit Federal. Përgjigja, e cila ende nuk është vënë re shumë publikisht, është e jashtëzakonshme, përcjell albinfo.ch. Këshilli Federal asnjëherë më parë nuk ka bërë deklarata për një periudhë kaq të gjatë kohore.

Rritja nga tre deri në katër vjet
Pas 20 vitesh, deficiti i alokimit do të arrijë në rreth dymbëdhjetë miliardë franga, thuhet në përgjigjen e Këshillit Federal. Ndërsa më tej vazhdon: “Si rezultat, mosha referuese e grave dhe burrave do të duhej të ngrihej nga tre deri në katër vjet në rreth 68 vjet, në mënyrë që të jemi në gjendje të mbulojmë deficitin e alokimit në vitin 2040”.
Një mënyrë tjetër për të parandaluar një deficit të tillë do të ishte rritja e TVSH-së.

Kjo do të duhet të rritet me një përqindje të pabesueshme prej tre për qind, ka deklaruar Këshilli Federal, transmeton albinfo.ch. Një gjë e tillë bazohet gjithmonë në shifrat nga viti 2019 – d.m.th. para pandemisë së koronës. Ose në pension në moshën 68 vjeçare ose rritje e madhe e TVSH-së, shton Këshilli Federal.

Për shkak se fondi i kompensimit AHV parimisht duhet të ketë në dispozicion 100 për qind të shpenzimeve të tëra vjetore ndërsa shpenzimet e AHV po rriten ndjeshëm për shkak të plakjes së popullsisë, në fond duhet të derdhen burime tjera financiare.
Reforma e AHV që Dhoma e Kantoneve po diskuton këtë pasdite është vetëm një hap i parë i vogël që ka mundësi të pasohet nga hapa edhe më të dhimbshëm.