Qeveria: Pagesa e subvencioneve nuk është ryshfet parazgjedhor

Subvencione prej 10 milionë eurosh për fermerët, dhe shpallje shtesë të subvencioneve për bletarët dhe zonat e mbjella, me material faror të certifikuar. Këto janë veprimet e fundit të qeverisë pas shpalljes zyrtare të zgjedhjeve lokale për në tetor. Përveç subvencioneve, ka shpallje aktive për 300 vende pune në administratën publike. Gjysma e tyre janë planifikuar në Ministrinë e Sistemit Politik, të kryesuar nga Artan Grubi. Pas njoftimit të qeverisë se ka paguar dhjetë milionë euro nga buxheti i shtetit në emër të subvencioneve, ne pyetëm nëse ky është ryshfet parazgjedhor?

Pagesa e subvencioneve para garës zgjedhore u kritikua ashpër nga LSDM-ja derisa ishte në opozitë. Por, pushteti aktual tani nuk u përgjigj në pyetjet tona. Në vend që të përgjigjen nga Qeveria, përgjigje morëm nga Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë. Pagesa justifikohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese katër vjet më parë, me të cilin u shfuqizua ndalimi i pagesës së subvencioneve në prag të zgjedhjeve.

Agjencia për mbështetje financiare të bujqësisë
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur që dispozita e kontestuar e Kodit Zgjedhor, e lidhur me pagesën e subvencioneve nuk është në përputhje me këtë parim kushtetues.”
Agjencia thekson se subvencionet e paguara milionëshe dje dhe paralajmërimi i subvencioneve të rejave nuk përbëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor. Pagesa ishte mbështetje e rregullt vjetore.

Agjencia për Mbështetje Financiare të Bujqësisë
“Subvencionet bujqësore nuk paraqesin pagesa ad-hok që do të shkelnin Kodin Zgjedhor, por këto janë pagesa për të cilat fermerët aplikuan për mbështetje financiare vitin e kaluar.”
Neni 8 – A i Kodit Zgjedhor aktual ndalon pagesën e pazakonshme të pagave, pensioneve, ndihmës sociale ose pagesave të tjera nga fondet buxhetore ose fondet publike, që nga shpallja e zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre. As kapitali shtetëror nuk guxon të tjetërsohet. Më 17 maj 2017, Gjykata Kushtetuese hoqi ndalesën e pagesës së subvencioneve derisa të formohet Qeveria, me iniciativën e një shoqate bujqësore.