Qeveria miratoi masa për kursim të energjisë elektrike

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot miratoi masa për kursimin e energjisë elektrike. Për amvisëritë dhe kompanitë janë miratuar rekomandime, ndërsa për institucionet shtetërore parashihen obligime konkrete të cilat duhet të respektohen sepse në të kundërtën do të ketë sanksione. Institucionet shtetërore janë të detyruara që të fikin ndriçimin dekorativ në fasadat e të gjitha objekteve publike dhe monumenteve kulturore, të mos përdorin ndriçim në hapësira të brendshme dhe zyra të objekteve publike gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme të dritës, raporton Klan M.

“Temperaturat e kondicionerëve në objektet publike në sezonin e ftohjes duhet të jenë jo më të ulëta se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më të larta se 20 gradë. Të bëhet ajrosje e shkurtër dhe intensive e të gjitha hapësirave, të fiken të gjitha dritat kur braktisen hapësirat ose kur mund të shfrytëzohet drita e ditës, të shtypen vetëm ato dokumente që nevojiten dhe aq kopje sa është e domosdoshme, të fiken të gjithë kompjuterët pas përfundimit të punës” – deklaroi Kreshnik Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se, përmes këtyre masave synohet reduktimi i konsumit për 15 përqind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, ai tha se, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit të paraparë, nuk do të ketë restriksione të energjisë elektrike.

“Nuk presim të ketë restriksione në Maqedoninë e Veriut. Tani, mos dhashtë Zoti të ndodhë ndonjë havari! Ndërsa përpos asaj, që të kemi garanca të plota, unë kam biseduar me udhëheqësinë e Ministrisë së Ekonomisë në Serbi, gjithashtu me Bullgarinë të mos ketë ndërprerje të kapaciteteve ndërkufitare, siç ka ndodhur ajo në të kaluarën, që të mos kemi problem në pjesën e furnizimit me energjinë elektrike të atyre konsumatorëve të cilët janë në tregun e lirë” – tha Bekteshi.

Masat do të hyn në fuqi nga 1 shtatori dhe do të vlejnë deri më 31 mars. Për realizimin e masave, çdo institucion shtetëror do të duhet të sigurojë person i cili do të kujdeset për respektimin e rregullave të reja, ndërsa aty ku nuk do të respektohen do të ketë sanksionet. Një pjesë e masave i përfshin edhe ndërmarrjet publike dhe sipas rekomandimeve qeveritare do të reduktohet edhe ndriçimi i rrugëve dhe shesheve. /KlanMacedonia/