Qeveria me afat të ri për vaksinat kundër Covid-19

Mbi 21 mijë vaksina të kompanisë Pfizer pritet të mbërrijnë në Maqedoni në fund të muajit mars. Ndërkaq deri në fund të vitit nga kjo kompani do të mbërrijnë edhe mbi 800 mijë doza të tjera. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kjo parashikohet me marrëveshjen që sot e ka dërguar kompania Pfizer. Kryeministri Zaev, vonesat i arsyetoi sërish me mungesën e kapaciteteve për prodhimin e vaksinave.

“Në tre mujorin e parë, kjo do të thotë diku në fund të marsit do të marrim ato 21 mijë doza të vaksinës Pfizer, në tre mujorin e dytë do të sigurojmë edhe më shumë sasi, dhe në tre mujorin e tretë do të sigurohen edhe më shumë vaksina. Nuk bëhet fjalë për jo seriozitet. E di gjithë bota dhe i gjithë populli ynë se arsyeja e vetme është mungesa e prodhimit të sasive të vaksinave”, tha Zoran Zaev, kryeministër. Ndërkohë vazhdon vaksinimi i personelit mjekësor. Gjithsej janë vaksinuar 3.028 mjekë ndërkaq interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar dita ditës rritet.

“Numri total i qytetarëve të interesuar për të marrë vaksinën kundër Kovid deri më sot është mbi 120 mijë. Respektivisht, përmes ueb faqes vakcinacija.mk janë paraqitur 72.800 qytetarë ndërsa përmes mjekëve amë janë paraqitur 47,569 qytetarë. Nga gjithsej 120 mijë të interesuar, 57,907 janë qytetarë të moshës mbi 70 vjeç”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë

Maqedonia e Veriut deri më tash është furnizuar vetëm me mbi 8000 vaksina Pfizer të cilat Serbia ia dha si donacion. Kjo sasi është paraparë të imunizojë personelin mjekësor që punon në qendrat Covid.