Qeveria parashikon që këtë vit ti shpenzojë mbi 144 mijë euro, para të qytetarëve për të blerë ushqime luksoze të klasit të partë. Për tu furnizuar me të gjitha këto produkte, Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta ka nënshkruar disa kontrata me kompani të ndryshme dhe atë për: Produkte nga mishi i thatë, produkte nga mishi i freskët i pulës, fruta, perime dhe zarzavate si dhe disa lloje të kafesë.
Më së shumti para, Qeveria dhe institucionet e saj parashikojnë të shpenzojnë për kafe esspreso dhe lloje të tjera të kafesë shumë prej 2.950.000 denarë ose mbi 48.000 euro, pastaj për fruta 2.100.000 denarë ose mbi 34.200 euro. 1.785.000 denarë ose mbi 29.000 euro Qeveria parashikon të shpenzojë për lloje të ndryshme të mishit të freskët të pulës, rreth 24.000 euro ose 1.470.000 denarë për produkte nga mishi i thatë. Shërbimi i Qeverisë ka nënshkruar dy kontrata në vlerë të përgjithshme prej rreth 9.400 euro ose 577.500 denarë për të furnizuar me fruta dhe perime dy vilat shtetërore në Ohër. Shuma totale e të gjitha këtyre shpenzimeve të parashikuara të Qeverisë arrin rreth 144.761 euro.
Ajo që bie në sy në kontratat e nënshkruara nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, është se nga kompanitë kërkohet që furnizimet të bëhen me produkte të klasit të parë.
Dërguam pyetje konkrete në Qeveri:
“Pse janë kaq të nevojshme këto produkte, në periudhë krize kur numri më i madh i qytetarëve në vend jetojnë me më pakë se 150 denarë në ditë?”.
Ndërsa përgjigja e shkurtër dhe pa detaje konkrete e Qeverisë ishte:
“Lidhur me pyetjen tuaj theksojmë se furnizimi bëhet për të gjitha furnizimet të cilat janë nën kompetenca të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, ndërsa i japin shërbim edhe presidentit të shtetit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Ju njoftojmë se marrëveshje kornizë të nënshkruara ka çdo vit, sipas marrëveshjes, malli tërhiqet në mënyrë të njëpasnjëshme, varësisht prej nevojës”, thonë nga Qeveria.
Ushqimet luksoze të Qeverisë, pasojnë rreth tetë muaj pasi Alsat publikoi skandalin se në kohë krize Qeveria parashikonte të shpenzojë më shumë se 20 mijë euro për oktopodë dhe peshk të freskët.
– Kafe esspreso dhe lloje të tjera të kafesë – 2.950.000 denarë / mbi 48.000 euro,
– Fruta-perime – 2.100.000 denarë / mbi 34.200 euro,
– Mishi i freskët i pulës – 1.785.000 denarë / mbi 29.000 euro,
– Produkte të mishit të thatë – 1.470.000 denarë / rreth 24.000 euro,
– Fruta-perime për Vilat në Ohër – 577.500 denarë / mbi 9420 euro.
TOTALI 144.761 euro./Alsat.mk