Qeveria Haradinaj reagon pas djegies së flamurit turk, dënon deklaratat e Dedajt


Reagimi i Qeverisë vjen pak pas një postimi nga zëvendësministri Gjergj Dedaj, i cili ka bërë deklarata kundër Turqisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, rithekson fuqishëm qëndrimin e saj kundër deklarimeve dhe gjuhës fyese ndaj Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në vendin tonë.

“Qeveria, gjithashtu, dënon fuqishëm çdo akt vandal që përdhosë simbolet nacionale dhe shtetërore të Republikës së Turqisë”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.

Ndonëse nuk e ka përmendur, Haradinaj me gjasë aludon në një veprim të disa personave, të cilët në rrjetin social “facebook” kanë shpërndarë një video-incizim, në të cilin ata shihen duke e djegur flamurin e Turqisë dhe u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve të veprojnë njëjtë me flamujt turq e serbë dhe përdorin fjalë ofenduese në drejtim të këtyre dy vendeve.

Po ashtu, të njëjtit thonë se janë në përkrahje të zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Gjergj Dedajt, i cili ditë më parë ka bërë thirrje për “çrrënjosjen e mbetjeve të Turqisë dhe Serbisë nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit”.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe ka konsideratë të veçantë për bashkëpunimin e mirë me vendet që kanë njohur dhe ndihmuar pavarësinë e Kosovës, thekson më tej kryeministri Haradinaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat ndaj atyre që nuk respektojnë interesat shtetërore të Kosovës dhe ndaj atyre që prishin harmoninë dhe bashkëjetesën e qytetarëve të saj, pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike”, ka shtuar ai.