Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët nga 20 në 6 për qind që parlamenti miratoi me paketën e re fiskale ka krijuar një ngërç jo të vogël, për industrinë agro-ushqimore
“Unë blej produkt nga fermeri vendas dhe qeveria nuk më njeh më 20 për qind TVSH në blerje, por vetëm 6 për qind. Por kur e shes produktin e përpunuar atëherë duhet të paguajë TVSH 20 për qind. Kjo është një taksë e pastër 14 për qind mbi xhiron”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.
Për të përballuar këtë barrë shtesë, agro-përpunuesit thonë se kanë dy rrugë; t’ia transferojnë koston fermerit ose konsumatorit final.
“Ose duhet të ulë me 14 për qind çmimin që i blej produktin fermerit ose duhet të rrisë me 14 per qind çmimin e shitjes per konsumatorin”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.
Por të dyja këto rrugë duken të pamundura, për shkak të konkurrencës që vjen nga importi. Ndaj industrialistët ushqimorë, thonë se po shqyrtojnë një zgjidhje tjetër. Ti blejnë produktet bujqësore në vendet fqinje, ku TVSH-ja u njihet 20 për qind.
“Nëse unë e marr domaten në Lushnjë me njihet 6 për qind. Nëse e marr në Maqedoni me njihet 20 për qind. E zhdoganoj dhe vazhdoj punën duke respektuar ligjin”, tha Uran Derri, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.
Qeveria e uli masën e kompesimit të TVSH-së për fermerët në 6 për qind pasi skema u kthye në abuzive. Paratë në vend që të përfundonin tek fermerët, në disa raste mbaheshin nga vetë tregtarët ose agro-përpunesit.
Për të kompesuar efektet negative të kësaj ulje mbi fermerët qeveria hoqi TVSH-në që ata paguajnë për inputet. Por skema e re kundërshtohet nga agro-përpunuesit që tashmë kërcënojnë se do I blejnë produktet bujqësore jo nga fermerët vendas, por nga ata fqinjë./tch