Qeveria e Serbisë heq dorë nga ora policore pas protestave të dhu*nshme

Shtabi i krizës së koronavirusit në Serbi shpalli të enjten disa masa të reja për frenimin e përhapjes së virusit por tha se nuk do të zbatojë orën policore.
Vendimi vjen pas dy netësh trazira në Beograd të cilat u nxitën nga zemërimi i publikut për reagimin e qeverisë ndaj pandemisë. Kryeministrja Ana Bërnabiq tha se tubimi i më shumë se dhjetë njerëzve në publik do të ndalohet në Beograd si në ambiente të mbyllura ashtu edhe të jashtme.

Masat e tjera përfshijnë ruajtjen e distancës fizike dhe ndalimin e punës në objekte të mbyllura nga ora 21:00 deri në orën 06:00.
Ambientet e hapura si parqet do të mbyllen nga ora 23:00 deri në orën 06:00.
Bërnabiq tha se këto masa vlejnë vetëm për Beogradin ku situata me koronavirus është më kritike.

“Ne nuk kemi më kapacitete spitalore për të pranuar pacientë në Beograd. Do të paguajmë çmimin për atë që ndodhi mbrëmë dhe një ditë më parë [në protesta]. Do të shohim se sa njerëz janë infektuar. Do ta shohim në 5, 6 apo 10 ditët e ardhshme” tha Bërnabiq. Në dy netët e kaluara në Beograd ka pasur përleshje midis policisë dhe protestuesve, pas paralajmërimeve të presidentit Aleksandar Vuçiq se do të vendosë orë policore në fundjavë, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Të mërkurën protestat janë përhapur edhe në Novi Sad qytetin e dytë më të madh të Serbisë. Bërnabiq tha se edhe pse vendosja e orës policore do të ishte më efektive zyrtarët e hodhën poshtë idenë “për të të ndërmarrë një hap të ndërmjetmë për hir të ekonomisë dhe qytetarëve”. Serbia është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Ballkanin Perëndimor, me mbi 17,000 të infektuar dhe 341 vik*tima.