Qeveria e RVM-së: Oferta e refuzuar për rritje prej 2.500 denarë do të thotë se SASHK vendos interesat e veta para atyre të fëmijëve

Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes një komunikate thekson se në bisedimet me SASHK kanë ofruar 10% rritje të pagave që do të sigurohen me rebalancin e buxhetit.

“Kjo do të thotë se mësimdhënësit edhe edukatoret do të kishin rritje prej 2.500 denarëve”, thonë nga qeveria.

Ata shtojnë se sindikata duhet të ketë besim tek institucionet për shkak se më herët me dialog u rritën pagat e mësimdhënësve dhe punonjësve në çerdhe për 21%.

“Po ashtu, konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme kur flitet për përmirësimin e statusit të të punësuarve në arsim, sipas praktikës së vendosur të kësaj Qeverie, në periudhën nga viti 2018 deri më 13 prill të këtij viti janë të punësuar gjithsej 2375 persona në kohë të pacaktuar, që është gjysma e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në kopshte që është rreth 4600. Mes tyre ka vende pune që janë shndërruar nga të përcaktuara në të pacaktuara, por edhe janë krijuar punësime të reja. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë janë dhënë 416 pëlqime për avancim të stafit”, thonë nga qeveria.

Sipas qeverisë, është e papërgjegjshme që edhe pse ka propozim për rritje të pagave në arsim , SASHK vazhdon grevën dhe shkatërron procesin arsimor në kohë krize shëndetësore dhe ekonomike./Telegrafi/