Qeveria e re: Vetëm katër gra ministre, asnjëra shqiptare

Vetëm 20% e ministrave të Qeverisë të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski janë gra, të gjitha nga LSDM. Partitë shqiptare nuk ia kanë besuar postin e ministrit asnjë gruaje. Nga ana tjetër në Kuvend, rreth 40% e deputetëve janë gra. Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur kurrë grua në postet e kryeministrit, presidentit apo kryetarit të Kuvendit, shkruan Portalb.mk.

Gjatë fushatave parazgjedhore, partitë figurën e gruas e përdorin vetëm për propagandë dhe mbledhje të votave pasi sapo formohen qeveritë, ajo lihet anash dhe shumë pak përfaqësohet në postet vendimmarrëse, në këtë rast në rolin e ministres. Argument dhe fakt për këtë janë përbërjet e kaluara qeveritare të vendit dhe kjo e fundit, ku raporti i ministrave burra dhe gra është katër me një.

Në Qeverinë e re të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), pjesëmarrëse janë edhe tre parti shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), nga ku asnjë grua nuk është caktuar si ministre. Të katër ministret janë nga radhët e LSDM-së.

Gratë në Qeveri do të udhëheqim me këto ministri:

Ministria e Mbrojtjes- Sllavjanka Petrovska;
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale- Jovana Trençevski;
Ministria e Kulturës- Bisera Stojçevska;
Kurse, Sllavica Grkovska do të jetë ministre pa resor, konkretisht zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit.