Qeveria e re e RMV-së, 10 ministra shqiptarë dhe 10 maqedonas!

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë 16 Ministri dhe katër Zv/Kryeministra. LSDM-ja do të drejtojë tetë ministri, BDI-ja gjashtë, ndërsa Alternativa tre ministri – atë të diasporës, pa resor.

Në përbërjen e re qeveritare do të ketë disa rotacione. Katër Ministra do të mbajnë pozitat e tyre, kurse befasia më e madhe është Profesori Univresitar Nikola Tupançevski për Ministër të Drejtësisë, njëherit edhe kuadër jopartiak.

Emrat e rinj janë;

Slavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes

Slavica Grkovska – Zv/Kryeministre për Luftë kundër Korrupsionit,

Jovana Trençevska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale

Bisera Kostadinovska – Stojçevska – Ministre e Kulturës

Bojan Mariçiqi nga Ministria e Drejtësisë zëvendëson Nikola Dimitrovin si Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane, kurse Lupço Nikolovski kthehet si Ministër i Bujqësisë.

Oliver Spasovski mbetet Ministër i Brendshëm, Fatmir Bytyqi vazhdon si Zv/Kryeministër për Çështje Ekonomike, Bllagoj Boçvarski – Ministër për Transport dhe Lidhje dhe Goran Milevski në Vetadministratën Lokale.

Në BDI nuk do të ketë ndryshime, përveç se në vend të Ministrisë për Shoqëri Informatike marrin Arsimin, ku Ministër do të jetë Jeton Shaqiri.

Artan Grubi është Zv/Kryeministër i Parë, Kreshnik Bekteshi mbetet në Ekonomi, Bujar Osmani vazhdon si Ministër i Jashtëm, Fatmir Besimi – Ministër i Financave, Naser Nuredini në Ministrinë për Ekologji.

Qeveria e re do të ketë edhe partnerin e ri, Alternativën, me tre vende ministrash. Bekim Sali do ta zëvendësojë Venko Filipçen si Ministër i Shëndetësisë, Admirim Aliti – Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë, kurse Xhemail Çupi do të jetë ministër pa resor i ngarkuar për diasporën.

Kryeparlamenari Talat Xhaferi pritet që seancën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re ta caktojë më 15 Janar dhe duke marrë parasysh shumicën momentale prej 64 deputetëve, pritet që Qeveria e re të zgjidhet më së voni deri të dielën.