Qeveria e Maqedonisë pa plan për bastoret, qytetarët do të vazhdojnë të harxhojnë paratë!

Ndërkohë që Shqipëria në vitin e ri 2019 ua vuri drynin 4.300 bastoreve dhe kazinove, pushteti në Maqedoni thuajse një vit zhvillon debat për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit. Kryeministri Zoran Zaev pajtohet se situata me bixhozin është alarmante. Shembullin e autoriteteve shqiptare e përmendë si masë radikale, duke theksuar të dhënën se në këtë veprimtari këtu punojnë rreth 6.000 qytetarë.

Por, çfarë ndodhë me ato lagje në Shkup, Tetovë, Strumicë, Kumanovë, Manastir, kudo, ku janë banesa kolektive dhe jetojnë më së shumti çifte të reja bashkëshortore, ka shumë fëmijë edhe atë afër shkollave, këtu nën ndërtesë është hapur kazino. A e zgjidhë kjo problemin? Kështu që do t’i shohim të gjitha efektet dhe masat dhe do të marrim vendim, gjithsesi do të ketë ndonjë lloj vendimesh, kështu nuk mund të mbetemi- deklaroi Zoran Zaev.

Analiza e hollësishme në këtë sektor prej vitit 2015, tregon se të gjitha bastoret dhe vendet ku është luajtur kumar në Maqedoni kanë pasur të ardhura prej 300 milionë euro, që paraqet rreth 10 për qind të buxhetit të shtetit. Kjo do të thotë se mesatarisht çdo banor i rritur brenda vitit shpenzon mes 150 dhe 200 euro për pagesën e tiketave dhe për kumar në aparate. Shuma e tillë çdo vit vjen duke u rritur. Për krahasim, rritja e të ardhurave në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014 arrin 5 për qind. Sivjet kjo shifër do të jetë dyfish më e madhe, meqë lojërat e fatit prej 1 janarit në vend se deri tani me 10 për qind, janë tatimuar me normë prej 15 për qind. Ndonëse banorët e Shqipërisë vitin e kaluar kanë shpenzuar thuajse dyfish më pak sesa ata të Maqedonisë para katër viteve, kjo ishte arsye e fuqishme për kryeministrin shqiptar Edi Rama që të marrë vendim për “vdekjen e detyrueshme” të këtij biznesi. Me këtë vendim, kazinotë që deri para do kohë ishin shpërndarë kudo, tani do të jenë të kapshme vetëm në hotelet me 5 yje, që gjenden jashtë zonave urbane. Deri tani, mbeten në nivel të spekulimeve informacionet se pas mbylljes në Shqipëri, biznesi me kazinotë do të shpërngulet në Maqedoni dhe Kosovë.