Qeveria e Maqedonisë me mendim pozitiv për gjuhën shqipe në uniformat e policisë

Sekretariati për Legjislacion në kuadër të Qeverisë i ka dhënë mendim pozitiv përdorimit të gjuhës shqipe në uniformat e policisë. Një dokument të cilin e ka siguruar Alsat, thirret në kërkesën e dorëzuar në Qeveri më 10 gusht të vitit 2020 ku kërkohet mendim për përdorimin e Ligjit të gjuhëve në uniformat e policisë.

“Bashkëngjitur ju dërgojmë Dekretin për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për uniformat dhe emblemat e uniformave të policisë dhe Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mbajtjen, vlefshmërinë dhe shpërndarjen e uniformave dhe emblemat e uniformave të policisë dhe ju lutem të jepni mendimin tuaj mbi përmbajtjen e tyre”, thuhet në Kërkesën për mendim.

Legjislacioni i organit ekzekutiv ka kthyer përgjigje pozitive më datën 12 gusht.

“Ju kujtojmë për nevojën e plotësimit të neneve 6, 7, 8 dhe 9 duke formuar tabela për çdo nen në të cilët do të konkretizohen të gjitha emblemat të cilave i atribuohet vlefshmëria, ku do të mungojë fjalia hyrëse e cila i referohet territorit të Shkupit dhe komunave ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase. Në Rregullore duhet shtuar edhe fjalitë “dhe alfabetin e saj”, thuhet në Mendimin, nr: 09-2821/2.

Qeveria duhet ta miratojë dekretin, ndërsa i njëjti më pas me vendim të ministrit duhet përfshirë në Rregulloren për përdorimin e uniformave të policisë. Edhe pse mendimi pozitiv i thirret Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti që nga miratimi nuk gjen zbatim. Dispozitat e tij përcaktojnë qartë zbatimin e gjuhës shqipe në raport me uniformat e forcave të rendit.

“(3) Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”, theksohet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Neni 8.

Gati katër vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti përveç se në uniformat e policisë pyjore nuk gjen zbatim në uniformat e asnjë force tjetër, përfshi policinë, ushtrinë, doganat dhe njësitë tjera në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe komunat ku shqiptarët janë mbi 20 për qind./Alsat.mk/