Ministri pa resor përgjegjës për Llogaridhënie dhe Transparencë i Maqedonisë, Robert Popovski, njoftoi se gazetës “Zaman Maqedoni” të lidhur me organizatln e FETO-a, i është ndarë mbështetje financiare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë shtypi, Popovski dje shpalosi listën e mediumeve të shkruara të cilave u janë ndarë mbështetje financiare për shtypje dhe shpërndarje për vitin 2018.
Në kuadër të programit, nga 13 mediume, 11 prej tyre u është ndarë mbështetje, përfshirë edhe gazetën “Zaman Maqedoni”. Siç u njoftua, gazetës së FETO-s i janë ndarë 903.092 denarë (rreth 14.670 euro) në kuadër të këtij programi.
Reagoi Ambasada e Turqisë në Shkup
Ndaj ngjarjes ka reaguar Ambasada e Turqisë në Shkup, e cila përmes një deklarate me shkrim ka dënuar ashpër mbështetjen e ndarë për gazetën “Zaman Maqedoni” të lidhur me FETO-n.
“Dihet se Republika e Turqisë mbështet Republikën e Maqedonisë që nga pavarësia e saj në të gjitha fushat e rëndësishme. Mbështetja dhe raporti i Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Maqedonisë kanë qenë gjithmonë miqësore dhe qëllimmira”, thuhet në deklaratë.
“E konsiderojmë vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për të ndarë mbështetje financiare për gazetën e FETO-s si skandaloz dhe të papranueshëm. Presim që Qeveria e Maqedonisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të marrë në konsideratë marrëdhëniet e gjata miqësore midis dy vendeve dhe dy popujve”, thuhet më tej në reagimin e ambasadës.