Qeveria e Kosovës merr vendimin, hapen kufijtë me vendet fqinje

Qeveria e Kosovës ditën e sotme ka marrë vendimin për hapjen e kufijve me vendet fqinje. Me anë të këtij vendimi, qytetarët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mund të hyjnë në territorin e Kosovës. Në vendimin e qeverisë nuk ka të shkruar nëse këta qytetarë do të duhet të kryejnë testin në kufi apo do të duhet të kenë bërë testin para se të hyjnë në Kosovës, ndaj pritet një komunikim për të sqaruar këtë çështje. Gjithashtu qeveria e Kosovës ka marrë edhe disa vendime të tjera në lidhje me çështjet e brendshme të vendit.

Njoftimi i qeverisë së Kosovës:
Qeveria i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në mendimin e Qeverisë janë përfshirë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së. Sipas proceduarave përkatëse, të gjitha institucionet e lartcekura i kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës.

Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, nëpërmjet së cilës krijohet baza ligjore për shënimin e Ditës së Egjiptianëve më 24 qershor, si ditë memoriale.

Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Gjithashtu, mendimi i Qeverisë është proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Qeveria ka marrë opinionet e Ministrisë së Financave dhe Departamentit të së Drejtës së BE-së të cilat kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson nismën legjislative të iniciuar nga deputetët propozues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës por e konsideron si jo të plotë për të përmirësuar procesin dhe procedurat e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se kjo nismë legjislative duhet të adresojë të gjitha çështjet që janë identifikuar si parregullsi gjatë monitorimit të proceseve zgjedhore nga organizatat monitoruese ndërkombëtare dhe vendase.

Është miratuar edhe vendimi për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

Është shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept dokumentit për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Koncept Dokumenti analizon situatën e krijuar pas riorganizimit të Qeverisë së Kosovës dhe shuarjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Duke vlerësuar se procesi i integrimeve evropiane për shtetin e Kosovës është jetik dhe duke pasur parasysh nevojën e koordinimit të zbatimit të marrëveshjeve të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, rekomandohet organizimi i Agjencionit për Integrime Evropiane.