Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë Veriore mblidhen në Shkup


Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë Veriore do të mbajnë seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup.
Kjo seancë do të drejtohet nga nikoqiri i takimit, kryeministri maqedonas Zoran Zaev bashkë me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.
Para nisjes së seancës së përbashkët do të ketë ceremoni të pritjes zyrtare, takim kokë më kokë mes Zaev dhe Kurtit, si dhe takime bilaterale mes ministrave të dy qeverive.

Për delegacionin e Qeverisë së Kosovës do të ketë pritje protokollare në pikën kufitare në Bllacë nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani.
Siç njoftuan të mërkurën nga Qeveria, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve nga sfera e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë, turizmit dhe sigurisë, inovacionit teknologjik si dhe marrëveshje për diasporën.

Takimi Zaev-Kurti është planifikuar të zhvillohet në ora 11:00. Ndërsa, në ora 11:30-12:30 mbahet mbledhja e përbashkët e dy Qeverive.
Në ora 12.30 fillon ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve/memorandumeve në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Pas mbledhjes, nga ora 13:30-14:00, dy kryeministrat, do të mbajnë konferencë për media.