Qeveria e Kosovë: Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij


Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka thënë se deputeti Behgjet Pacolli duhet t’i tërheq deklaratat ku përmend një akt të mundshëm terrorist ndaj tij dhe se për të njëjtat duhet të kërkojë falje. Kryeziu ka shkruar se deklarata të tilla tani po përdoren kundër shtetit nga vende që nuk e njohin Kosovën.

“Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd “terrorist”, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Ai ka thënë se me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve, Pacolli, thirrjet për respektim të udhëzimit zyrtar i ka interpretuar si frikë.

“Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për ‘akt terroristik nga shteti’. Këto fjalë të rënda, po publikohen në mediat e vendeve që sabotojnë shtetësinë e Kosovës, dhe po përdoren kundër shtetit tonë. Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha”, ka shkruar Kryeziu./21Media