Mjetet janë rialokuar nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), dhe ato do të transferohen në llogarinë e Ndërmarrjes Publike të Transportit Shkup (NQP) deri në fund të kësaj jave.
Studentët do të mund të përdorin transportin publik falas edhe gjatë vitit 2025, pasi Qeveria në seancën e saj të fundit për këtë vit vendosi t’i transferojë 120 milionë denarë NQP-së.
“Qeveria e mëparshme për tre vite nuk siguroi mjete për këtë qëllim dhe nuk mori vendime të tilla. Kjo është arsyeja për mosbesimin që studentët kishin ndaj pushtetit ekzekutiv. Dua t’i siguroj ata se duhet të jenë të qetë, sepse Qeveria e re i përmbush premtimet dhe detyrimet ndaj qytetarëve, dhe pikërisht ky vendim është një dëshmi e kësaj,” thuhet në deklaratë.
Transporti publik falas, siç shtoi ai, do t’u mundësojë studentëve një qasje më të lehtë në arsim dhe do t’i lehtësojë nga barra financiare, në mënyrë që ata të fokusohen më shumë në studimet dhe zhvillimin e tyre personal.
“Jemi të vetëdijshëm për faktin se studentët janë e ardhmja e shtetit tonë, por edhe për sfidat e mëdha me të cilat ata përballen çdo ditë: shpenzime të larta për shkollim, akomodim dhe jetesë. Në këto rrethana, transporti publik është një nga shpenzimet kryesore për studentët. Prandaj, Qeveria vendosi t’i transferojë 120 milionë denarë Qytetit të Shkupit, përkatësisht NQP-së, në mënyrë që kjo masë të realizohet pa pengesa edhe vitin e ardhshëm kalendarik,”
shtoi Mickoski.