Qeveria do të blejë gjysmë milion vaksina antikovid nga kompania Pfizer

Qeveria në seancën e djeshme e miratoi informacionin për blerjen e vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas së cilës është konfirmuar nevoja e furnizimit të 500.000 dozave të mPHa (mRNK) vaksina nga prodhuesi “Pfizer”, në të cilat do të përfshihen edhe dozat pediatrike në sasi prej 1 për qind nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në vend të moshës prej 5 deri në 12 vjet, gjegjësisht rreth 10.000 doza.

“Sipas informacionit dozat për të rritur do të fillojnë të dorëzohen nga muaji maj, ndërsa dozat pediatrike në tremujorin e parë të vitit 2022. Sasia e përgjithshme duhet të dorëzohet deri në dhjetor të vitit 2022”, njoftuan dje nga Qeveria.

Sipas informatave të fundit, në shtet është vaksinuar 48 për qind e popullsisë së rritur.
Kompetentët apelojnë për vaksinim më masiv, sepse, siç potencojnë, vetëm ashtu mund të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalohet përhapja e mutacioneve të koronavirusit.
Në shtet ende nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me llojin Omikron dhe ende është dominues lloji delta.

Dje ishin regjistruar 353 raste të reja me KOVID-19 nga 3.162 testimet e kryera ose 11 për qind, që është nën mesataren e javës së kaluar të rasteve pozitive 13,1. Më së shumti raste të reja ka në Shkup – 174, pastaj në Prilep-42, Manastir-27 dhe Kavadar-22. Janë regjistruar 450 pacientë të shëruar, si dhe gjithsej 14 të vdekur, prej të cilëve 10 në 24 orëshin e fundit, ndërsa katër përmes sistemit “Termi Im” në periundhën nga data 19.11 deri më 07.12.2021.

Deri tani në vend janë bërë gjithsej 1.507.103 testime për Kovid-19. Shifra e përgjithshme e personave të diagnostifikuar me KOVID në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin 219.843, shifra e pacientëve të shëruar është 206.661, shifra e të vdekur është 7.754, ndërsa numri i rasteve aktive arrin 5.428.

Më së shumti raste aktive ka në Shkup – 2650, vijon Manastiri-445, Prilepi-352, Kavadari-257, pastaj Ohri me 209 raste. Në qytetet tjera ka nën 200 të infektuar, ndërsa në Dibër nuk ka asnjë rast aktiv.
Sipas statistikës botërore, deri tani nga koronavirusi janë infektuar mbi 271 milion njerëz, kanë vdekur më shumë se 5,3 milion dhe janë shëruar 244 milion banorë.

OBSH parashikon se Afrika do të arrijë të vaksinojë 70 për qind të popullsisë së saj madje deri në gusht të vitit 2024, nëse imunizimi zhvillohet sipas kësaj tempo. Prej atje kërkuan të përshpejtohet fushata për vaksinim, e cila do të thotë “shpëtim i shumë jetëve”.
Pragu prej 70 për qind konsiderohet i rëndësishëm për kontroll të pandemisë, përkujtoi Zyra Rajonale e OBSH-së për Afrikë.

Në luftën kundër Kovid-19, nga kompania “Fajzer” presin të ndihmojë edhe medikamenti i saj “Pakslovid”. Hulumtimi i medikamentit të Fajzerit kundër Kovid-19 konfirmoi se ndihmon në parandalimin e sëmundjeve serioze.
Në kumtesën e kompanisë citohet se medikamenti antivirus në kushte laboratorike ka qenë efikas edhe kundër llojit omikron.