Mes shumë historive të solidaritetit në këto javë të vështira për Italinë e prekur nga koronavirusi, është edhe një që ka tërhequr vëmendjen edhe të kreut të Rajonit të Ligurias.
Është historia e një shqiptari i cili quhet Albi Albino, kamarier në hotelin Bel Sit, në Alassio, që është në karantinë pasi një nga klientët, një grua 72-vjeçare, rezultoi pozitive me koronavirus.
Albino ka qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve në shërbim të të moshuarve që po qëndrojnë në hotel. Angazhimi dhe bujaria e të riut shqiptar kanë bërë që kreu i Rajonit të Ligurias, Giovanni Toti t’i kushtojë një postim në Facebook, ku e falenderon për punën që po kryen.
“Ai është Albi Albino, një djalë shqiptar që po ndihmon aty ku ka më shumë nevojë, në hotelin e Alassios. Nga kamarier ka zgjedhur që të bëhet ndihmës dhe mbi të gjitha mik i shumë njerëzve që janë detyruar të qëndrojnë në karantinë, një pikë referimi në këtë moment delikat. Një falenderim i veçantë shkon për këtë djalë që ka treguar forcë, guxim dhe vendosmëri tipike të vendasve. Faleminderit Albi, do të mundohemi që të marrësh shtetësinë italiane që aq shumë e dëshiron. Sepse ti je njëri prej nesh”.