Qëndrimi antishqiptar i Muçit në Beograd


Bardhyl Mahmuti

Sipas asaj që njoftuan mediet, më 10 korrik 2018, në Beograd, zhvilloi punimet “Konferenca e organizuar nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH)”. “Konferenca” kishte për qëllim të hapte debatin rreth marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Nga të gjitha diskutimet e kësaj “konference”, fjala e Mustafa Nanos tërhoqi vëmendjen e medieve.

Ai shprehu pesimizmin e tij, që konferenca të zhvillohej normalisht, për shkak se Çështja e Kosovës doli në rend të ditës.

Mustafa Nano, që pohoi publikisht se “programi i tij televiziv titullohet “Provokacja” dhe ai ka zgjedhur një emër serb, sepse ka dashur të përcillte mesazhin se, asgjë që i përket botës serbe nuk është e çuditshme për ne, shqiptarët, asgjë nuk është armiqësore për shqiptarët”, revoltohet pse në këtë konferencë Çështja e Kosovës doli në rend të ditës. Kjo çështje nuk duhej të dilte në rend të ditës, sepse, sipas Mustafa Nanos, “Kosova është një zinxhir që na mban këmbët të lidhura”.

Pohimi se “asgjë që i përket botës serbe nuk është armiqësore për shqiptarët”, nxjerr në shesh fytyrën e vërtetë të Mustafa Nanos.

Me mijëra dokumente dëshmojnë se institucioni më i lartë serb, ku janë të grumbulluar shkencëtarët dhe artistë më të shquar të Serbisë, e ashtuquajtura Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, është shndërruar, që moti, në “kuzhinë”, ku gatuhen falsifikimet e fakteve historike në funksion të mobilizimeve politike kundër shqiptarëve.

Të pretendohet se gjoja “asgjë që i përket botës serbe nuk është armiqësore për shqiptarët” nënkupton se as “memorandumet” dhe “programet” gjenocidare të përpiluara nga ky institucion i “shkencës” dhe i “artit” të Serbisë nuk qenkëshin armiqësorë ndaj shqiptarëve! Nuk do të them mendimin tim për qëndrimet e institucioneve të tjera të “botës serbe” ndaj shqiptarëve, sepse është rrezik që të shihem si “subjektiv” nga autorët e “Provokacija”-s serbe në Tiranë.

Këtu po citoj publicistin serb, Mirosllav Filipoviçin, i cili më 26 korrik të vitit 2000 u dënua nga Gjykata Ushtarake në Nish me 7 vjet burg, për të vetmin “krim”, sepse ngriti zërin kundër krimeve serbe në Kosovë.

Në shkrimin e gjatë të titulluar “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”, Mirosllav Filipoviqi shkruan: “Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime”. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës, se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje për viktimat tona?… Në Perëndim Millosheviçin qëmoti e kanë quajtur“kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Megjithatë, Gjermania e Paraluftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillim viteve ’90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, Gjermaninë e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviçit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që, me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre. (Republika, Miroslav Filipoviç, “Dugimarš ka istini o zlocinima”, shqip: “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”, nr. 263, f. 27-28).

Kjo sintezë e Mirosllav Filipoviçit është tejet domethënëse dhe mundëson të kuptohen arsyet pse “provokacija” serbe dëshiron ta shmangë Kosovën në debatet për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Ata e dinë fare mirë, se Kosova nuk “është një zinxhir që lidh këmbët” dhe që duhet këputur për të ecur përpara, por një HENDEK I MADH, i mbushur plot e përplot me viktima të pafajshme. Vetëm gjatë luftës së fundit, hendekut shekullor që ndan Kosovën dhe Serbinë iu shtuan vrasjet e 11 840 personave, prej të cilëve 1392 janë fëmijë, ndërsa 1739 gra. Mijëra fëmijë, gra, burra dhe pleq shqiptarë, të vrarë me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët në Kosovë, si të tillë, edhe mijëra femra të dhunuara seksualisht, me qëllim të cenimit të integritetit fizik dhe psikologjik të gruas shqiptare, thelluan hendekun e krimit të gjenocidit serb që ndan Kosovën dhe Serbinë.

Në takime jopublike, krimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë e pranojnë edhe vetë serbët, por për motive të ndryshme ata refuzojnë ta deklarojnë haptazi. Për të ilustruar këtë pohim, ish-zëdhënësja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Florence Hartmanne, në veprën e saj “Paqja dhe ndëshkimi” sjell qëndrimin e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviçit, i cili në zyrën e Karla Del Pontes, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviçi theksoi se, “nëse ne ju ndihmojmë ta dënoni Millosheviçin për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”.

Udhëheqësit politikë të Beogradit deklarojnë haptazi, se “interesi jetësor kombëtar” i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të gjitha informatat që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit. Ajo që është edhe më neveritëse në strategjinë e politikës serbe për të fshehur faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë lidhet me qëndrimet e pushtetit në Beograd, se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në regjion dhe veprojnë kundër paqes” (Florence Hartmann, vepra e cituar “Paix et châtiment, f.118).

Sado që dikujt mund t’i duket se “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në regjion dhe se gjoja veprojnë kundër paqes”, një gjë është e sigurt: pa njohjen e përmasave reale të gjenocidit në Kosovë dhe pa ndëshkimin e kriminelëve të implikuar në këtë krim, ndërtimi i urave të bashkëpunimit ndërshtetëror në këtë pjesë të Europës është vetëm një iluzion. Ardhmëria europiane e kësaj pjese të Ballkanit nuk ndërtohet me gënjeshtra.

Nëse mund të flitet për zinxhirë, atëherë, në këtë kontekst, nuk është Kosova, por mohimi i ballafaqimit me të vërtetën, ajo që lidh këmbë e duar ardhmërinë europiane të Ballkanit Perëndimor.

Në fund të fjalës së tij, Mustafa Nano evokoi kujtime edhe nga vizita që kishte bërë në Preshevë.

Për lexuesit që nuk kanë njohuri për historinë e kësaj pjese të territoreve shqiptare, po rikujtoj se me vendim politik të komunistëve serbë, u bë ndarja një pjese të Kosovës Lindore, ku përfshihej territori i tri komunave me shumicë shqiptare (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) dhe u vu nën administrimin e Serbisë. Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, me mijëra shqiptarë që nuk pranonin sundimin serb janë vrarë, janë plagosur, janë torturuar, janë përndjekur, janë arrestuar dhe janë dënuar nga pushteti i dhunshëm i Serbisë.

Shtatë dekada më vonë, Mustafa Nano, zëdhënës i propagandës serbe në Shqipëri, deklaroi në Beograd se, kur paska vizituar herën e fundit Serbinë, paska qenë edhe në Preshevë. Atje, autori i emisionit me emërtim serb në Shqipëri, “Provokacija”, paska parë disa persona që fizikisht ishin aty, në Serbi, por me mendje ata ishin në Tiranë, në Prishtinë.

Kur flet për serbët e Mitrovicës, të cilët i kanë sytë të kthyer nga Beogradi, apo minoritarët grekë në Shqipëri, që janë të orientuar në drejtim të Greqisë, Mustafa Nano është “i paqartë” se çfarë dëshiron t’u thuhet atyre. Atë që e thotë qartazi në këtë rast, ka të bëjë me dëshirën e tij, që “Edi Rama të vijë dhe t’u thotë këtyre njerëzve: Dëgjoni, ju jeni këtu, jeni pjesë e Serbisë dhe do të jeni këtu gjithë kohën. Harrojeni Tiranën! Harrojeni Prishtinën! Pra, bëni më të mirën, integrohuni këtu, në këtë botë”.

Territoret e Luginës së Preshevës janë territore të pushtuara nga Serbia prej një shekulli dhe në shpirtin liridashës të shqiptarëve të këtyre anëve këto territore kanë statusin e territoreve të pushtuara.

Mustafa Nano apo cilido bir kurve që u sugjeron shqiptarëve të këtyre anëve, që “të harrojnë Tiranën dhe Prishtinën dhe të integrohen në Serbi”, vetëm e vetëm se në Beograd ndihet si në shtëpinë e vet, mund të shkojë atje ku e ka vendin. Historia e tokës së kësaj Lugine është e stërmbushur me gjak shqiptari dhe është pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare, përkundër asaj se disa politikanë të Tiranës dhe të Prishtinës kanë prirje ta harrojnë.