Rreth 3.5 milionë euro janë shpenzuar deri tani për pastrimin e rrugëve dhe rrugicave nga bora dhe akulli, por kjo shumë pritet të rritet pasi 13 tenderë ende nuk janë realizuar, kryesisht për shkak të nisjes me vonesë të procedurave.
Këtë e ka treguar analiza më e fundit e Qendrës për Komunikime Qytetare për këtë sezon. Ata theksojnë se ndër kontratat që ende nuk janë nënshkruar është ajo më e madhja, e ndërmarrjes publike për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Deri tani ka tre tenderë për kripë dhe zhavorr me një vlerë vjetore prej 1.3 milionë eurosh, por mungon tenderi për marrjen me qira të një pale të tretë për pastrimin e rrugëve. Deri më tani, ajo mbështetet vetëm te makineria e vet. Për Shkupin, është interesante që kemi rreth 1 milion euro kontrata, nga të cilat gjysmë milioni janë të qytetit të Shkupit për rrugët kryesore, dhe tetë komuna të Shkupit kanë nënshkruar kontrata me kompani të tjera për pastrimin e territoreve të tyre.”– German Filkov, Qendra për Komunikime Qytetare.
Pjesa më e madhe e fondeve nga tenderët ka shkuar për kompaninë Lugos LC nga Shkupi për kripë industriale, me një total prej 2 milionë e 300 mijë denarësh. Në vend të dytë është Neksos Inxhinering nga Shkupi, me një kontratë prej 1 milion e 55 mijë eurosh për angazhimin dyvjeçar të automjeteve speciale për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Shkup. Në vend të tretë renditet kompania Anizor Drashko nga fshati Shishovë i Shkupit, e cila ka kontrata me pesë komuna të Shkupit në vlerë prej 342 mijë eurosh.
Përveç Qytetit të Shkupit, më shumë para për këtë qëllim kanë shpenzuar komunat Manastir, Kërçovë, Qendër, Gazi Babë, Gostivar dhe Strugë.
Megjithatë, kërkimi tregoi se vetëm 40 komuna, ose gjysma e numrit total të komunave në vend, kanë kërkuar shërbime për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ndërsa pjesa tjetër e pastrojnë borën me burimet e veta.
Sipas Filkov, shqetësues është fakti se, në përgjithësi, tenderët për mirëmbajtjen dimërore kanë konkurrencë të ulët.
“Ajo që nuk na befason, por dua ta përsëris si një fakt alarmues, është konkurrenca shumë e ulët në këto tenderë, mesatarisht 1.4 oferta për tender. Në mbi 70% të tenderëve kemi vetëm një ofertë, kështu që ky treg është shumë i kufizuar. Kryesisht bëhet fjalë për tregun e marrjes me qira të mjeteve dhe punëtorëve, ndërsa tregu për kripë dhe zhavorr ka një konkurrencë të caktuar,” tha Gjerman Filkov nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Filkov theksoi se shuma e sivjetme prej 3.5 milionë eurosh për tenderët e nënshkruar deri më tani për pastrimin e borës nuk është befasuese, duke pasur parasysh vitet e kaluara, kur shumat totale kanë tejkaluar mbi 5 milionë euro.