Pyjet po na pësojnë për shkak se i ruajnë shumë pak njerëz me pajisje të dobëta

Të investohet në parandalimin e zjarreve dhe prerjes së paligjshme të drunjve, të pajisen brigadat e zjarrfikësve me mjete të reja motorike dhe më tepër kuadër njerëzor, të modernizohen policia pyjore dhe rojtarët e pyjeve, ndërsa në sistemin për mbrojtje të pyjeve të instalohen teknologji të reja. Këto janë konkluzionet kryesore nga diskutimi publik i titulluar “Ballafaqim me rreziqet kundër pyjeve: Kapacitete institucionale”, në organizim të Qendrës për Strategji Evropiane-Eurothink.

Parandalimi i prerjes së paligjshme të drunjve dhe mbrojtja e pyjeve nga zjarret është po aq e rëndësishme sa edhe politikat ndëshkuese. Keqpërdorimi i potencialit të pyjeve për sigurim të paligjshëm të drurit për ngrohje është problem me dekada në vendin tonë. Pasojat nga kjo dhe nga zjarret janë tepër të mëdha dhe nëse së shpejti nuk gjenden zgjidhje efikase për t’i kontrolluar këto aktivitete, efektet do të jenë edhe më të këqija.

Vetëm në vitin 2020, janë regjistruar 19.282 metër kub drunjë të prerë nga fondi pyjor i vendit, thuhet në të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS). Ndërkaq, vitin e kaluar është vërejtur shifër rekord kur hajnat e drunjve kanë arritur të presin 45.795 metër kub masë druri ilegalisht.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme në luftën me prerjen e paligjshme është ngritja e vetëdijes për problemin dhe madhësinë e tij, vlerëson drejtoresha e NP Pyjet Nacionale, Julijana Nikollovska dhe thekson që parandalimi është ilaçi dhe mbrojtja më e mirë e begatisë tonë pyjore. Ajo e pranon që shërbimet për mbrojtjen e pyjeve kanë dobësi dhe se është e domosdoshme të investohet në pajisje dhe teknologji të reja.

“Rojtarët e pyjeve dhe policia pyjore tani më kanë fituar mjete motorike dhe pajisje të reja. Është formuar edhe trup për mbrojtje dhe menaxhim me pyjet, ndërsa në përpunim është edhe Strategji kundër prerjes së paligjshme”, vuri në dije Nikollovska.

Eksploatimi i pyjeve për sigurim të paligjshëm të masës së drurit për djegie, sipas Sasha Jovanoviq, udhëheqës i sektorit për pylltari dhe gjueti në Ministrinë për Bujqësi, është krim i organizuar që sipas numrit të pjesëmarrësve, është ndër krimet e organizuara më masive në vend. Vlerëson që duhet të punohet në vetëdijen e qytetarëve që edhe blerja e drurit të prerë në mënyrë të paligjshme është gjithashtu vepër penale.

“Kemi institucione të cilat janë kompetente, por edhe krahas asaj problemi vazhdon të ekzistojë. Mendoj që na mungon dëshirë për ta zgjidhur, na mungon qëndrim i fortë të cilit do t’i përmbahemi të gjithë edhe institucionet edhe organizatat tjera”, thotë Jovanoviq.

Një prej zgjidhjeve, ai e sheh në sistemin për monitorim elektronik të masës së drunjve, që është duke u përpunuar dhe i përfshin të gjithë shfrytëzuesit. Me atë, në mënyrë elektronike do të kontrollohet dhe ndiqet çdo sasi e masës së drunjve që lëshohen në qarkullim. Qytetarët do të mund të kontrollojnë në sistemin nëse ndonjë mjet që bartë dru është legal ose jo dhe do të kenë mundësi që nëse zbulojnë krim, ta denoncojnë. Në anën tjetër, shteti duhet të fut masa stumiluese për shfrytëzimin e burimeve tjera të energjisë në popullatë, me çka do të zvogëlohet presioni mbi pyjet, ndërsa do të ketë edhe përfitime ekologjike.

“Punojmë edhe në ndryshimin e ligjit për pyjet që duhet të na mundësojë edhe mekanizma tjerë kontrollues, për shembull video mbikëqyrje të depove, instalim të GPS përcjelljes së mjeteve motorike që bëjnë transport dhe ngjashëm”, thotë Jovanoviq.

Përveç prerjes së paligjshme, zjarret janë një nga rreziqet më të mëdha që u kanosen pyjeve tona. Çdo vit, dëmet numërohen në milionë euro, ndërsa këtë vit ishte rekordi. Pas verës së nxehtë me temperature ekstreme dhe erëra të forta edhe zjarret në më shumë lokacione në vend, veçanërisht ato katastrofale në zonën e Malishevës, dëmet janë vlerësuar në 37,5 milionë euro. Vitin e kaluar kanë qenë 1,3 milionë, ndërsа në vitin 2019, 13 milionë euro.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov, thotë që te ne funksionon mirë paralajmërimi i hershëm, mirëpo na mungon intervenimi i shpejtë në terren. Shkaku për këtë është ekipimi dhe furnizimi i dobët, por edhe koordinimi i keq mes institucioneve.

“Resurset me të cilat menaxhojmë janë modeste. Kemi vetëm dy helikopterë të ushtrisë për shuarje të zjarreve, ndërsa aeroplanët e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim nuk janë funksional. Por edhe helikopterët nuk janë vendimtarë, nëse nuk kemi njerëz mjaftueshëm në njësitë lokale të zjarrfikësve, të cilat do të jenë mirë të organizuara për të marrë pjesë në fikjen e zjarreve. Prandaj konsideroj që patjetër duhet të investojmë shumë në parandalim. Kështu do të kursejmë shumë financa dhe resurse dhe do të ruajmë zona tepër të bukura”, thotë Stojanov.

Për t’u rigjeneruar pyjet dhe ekosistemet e shkatërruara që kanë pësuar nga zjarret këtë verë do të nevojiten prej dy deri pesë dekada. Dëmi nga valët e flakta në më shumë lokacione të vendit, nga më shumë aspekte nuk mund të matet, ndërsa ka nxjerr në pah edhe mundësi të shumta të sistemit të mbrojtjes dhe parandalimit.

Numri i zjarrfikësve është shumë i vogël, thotë Toni Atanasov, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Shtip, i cili apelon që zjarret e fundit të na shërbejnë për mësim dhe përfundimisht të fillojmë të mësojmë nga përvoja. Në brigadën e tij ka vetëm 33 zjarrfikës të cilët mbulojnë dy komuna.

Për dallim nga ne, në Austri, ka 260.000 zjarrfikës. Sipas përvojave që i ka transmetuar Andreas Hendller, një nga zjarrfikësit të cilët bashkë me kolegët tonë nga më shumë vende u ndihmonte zjarrfikësve të vendit gjatë shtrëngatës, tek ata, zjarrfikësi nuk është profesion. Të gjithë janë vullnetarë të cilët janë të organizuar në më shumë se 4.700 brigada.

“Ligji për mbrojtje nga zjarret parasheh 13 njësi lokale duke përfshirë atë të Qytetit Shkup, të cilat duhet t’i koordinojë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Mund të konfirmoj që ky koordinim nuk ekziston, por ne, komandantët, të cilët njihemi personalisht komunikojmë vetë dhe merremi vesh ndërmjet vete”, thotë Atanasov.

Rregullorja për mbrojtje prej zjarreve, thekson ai, parasheh masa parandaluese të cilat nuk zbatohen në terren. Për shembull, ndërmarrjet publike pyjore janë ato që duhet të dalin së pari nëse ka zjarr dhe duhet të kenë edhe ekipet e tyre të zjarrfikësve. Atanasov është ankuar edhe për pajisjen, veçanërisht mjetet motorike, që janë për intervenime urbane. Me çdo dalje në terren prishen, ashtu që zjarrfikësit, megjithëse për disa minuta janë të gatshëm, nuk kanë si të nisen për në terren.