Putini deklarohet pas sulmit masiv: Armiqtë s’do të na përçajnë, sulmuesit u munduan të iknin në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, foli të shtunën pas sulmit masiv të së premtes mbrëma afër Moskës, ku u vranë 115 persona, duke thënë se personat përgjegjës do të ndëshkohen.

Kreu i Kremlinit i falënderoi shërbimet emergjente dhe shërbimet speciale për përpjekjet e tyre pas sulmit të së premtes në një sallë koncertesh, raporton televizioni BBC.

Më tej, ai tha se sulmuesit u munduan që të iknin në Ukrainë dhe se masat e sigurisë janë shtuar. Të dielën e shpalli ditë zie dhe premtoi se të gjithë ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.

Sipas tij, të gjithë sulmuesit janë gjetur dhe tashmë janë ndaluar. Ai nuk përmendi ndonjë numër.

Putini e quajti sulmin “akt terrorist barbar”. “Armiqtë tanë nuk do të na përçajnë” – shtoi ai.