Putin po i ndihmon Trumpit të rizgjidhet president, zbulojnë zyrtarët amerikanë të inteligjencës

Zyrtarët e inteligjencës i kanë paralajmëruar ligjbërësit e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan se Rusia po përzihet në fushatën për zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për t’i ndihmuar presidentit Donald Trump të rizgjidhet në post, kanë thënë pesë persona me njohuri rreth zhvillimeve.

Ky zbulim e ka zemëruar Trumpin, i cili është ankuar se kundërshtarët e tij demokratë do ta përdorin këtë informacion kundër tij, raporton gazeta The New York Times.

Një ditë pas raportimit para ligjbërësve më 13 shkurt, Trump i ka bërtitur ushtruesit të detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire, që ka lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, kanë thënë personat me njohuri rreth zhvillimeve.

Trump është zemëruar veçanërisht nga prania gjatë raportimit e ligjbërësit Adam Schiff, demokrat nga Kalifornia, i cili ka udhëhequr gjyqin në Senat për shkarkimin e tij.

Gjatë raportimit në Komisionin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve, aleatët e Trumpit i kanë kundërshtuar konkluzionet e zyrtarëve të inteligjencës, duke thënë se Trump ka qenë i ashpër karshi Rusisë, dhe e ka forcuar sigurinë e Evropës.

Ndërkaq, disa zyrtarë të inteligjencës e kanë cilësuar raportimin si gabim taktik, duke thënë se po të ishin paraqitur konkluzionet më butë nga njëri prej tyre, do të ishte shmangur zemërimi i republikanëve.

Zyrtari që paraqiti konkluzionet, Shelby Pierson, është bashkëpunëtor i Maguire, i cili njihet për paraqitje të informatave në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Presidenti amerikan ka njoftuar të mërkurën se do ta zëvendësojë Maguire me Richard Grenellin, ambasadorin e vendit në Gjermani, i njohur si mbështetës tejet i zëshëm i Trumpit.

Ndonëse disa zyrtarë aktualë dhe të dikurshëm kanë spekuluar se raportimi mund të ketë luajtur një rol në largimin e Maguire, i cili i kishte thënë njerëzve në ditët e fundit se besonte se do të mbetej në postin që aktualisht e ka, dy zyrtarë të administratës së Trumpit kanë thënë se gjithçka është rastësore.

Zëdhënësja e Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe ajo e Zyrës për Sigurinë në Zgjedhje nuk kanë pranuar të japin komente.

Kërkesat për komente i ka refuzuar edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.