Putin nënshkruan ligjin për dënimet me bu*rg për ‘lajme të rreme’

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një projektligj që dënon përhapjen e informacionit “të rremë” për forcat e armatosura të vendit, me dënim me bu*rg deri në 15 vjet. Projektligji u miratua unanimisht nga ligjvënësit rusë ditën e enjte.

Disa media të pavarura ruse janë detyruar të mbyllen ditët e fundit pasi e kanë përshkruar si “pushtim” ose “lu*ftë” atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Putin nënshkroi gjithashtu një projektligj që do të lejonte gjoba ose burgim për thirrjet për sanksione kundër Rusisë.

Sot është dita e nëntë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, lufta e parë tokësore në Evropë në dekada. Lu*ftimet kanë vazhduar të intensifikohen në qytetet kryesore, ndërsa më shumë se një milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull. Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.