Putin: “Në rast të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë në luftë, përgjigja do të ishte ‘e shpejtë si rrufeja'”

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi kundër çdo ndërhyrjeje në luftën me Ukrainën, duke thënë se në rast të tillë, përgjigja do të ishte “e shpejtë si rrufeja”. Duke folur në një takim në Shën Petersburg, Putin përsëriti se “të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak të Rusisë në Ukrainë do të përmbushen”. Ai u zotua për një përgjigje të shpejtë ndaj ndonjë “kërcënimi të papranueshëm” për Rusinë.

“Nëse dikush dëshiron të ndërhyjë në situatën në Ukrainë nga jashtë dhe krijon një kërcënim të papranueshëm të një natyre strategjike për Rusinë, përgjigja do të jetë e shpejtë si rrufeja, vendimet për këtë çështje janë marrë”, tha ai. Rusia, tha ai, vazhdon të kërkojë mënyra për të kapërcyer sanksionet perëndimore dhe do t’u përgjigjet kufizimeve dhe përpjekjeve për të izoluar Moskën “me një hapje më të madhe ndaj sipërmarrësisë”.

Putin tha gjithashtu se sabotatorët ukrainas përgatisin provokime kundër gazetarëve rusë dhe ata përdorin në Rusi “metoda të vrasjes së gazetarëve në rrugë që ishin të zakonshme në Ukrainë”. Të paktën 2.787 civilë janë vrarë dhe 3.152 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së. Numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë. Deri më tani, 7,7 milionë njerëz në Ukrainë janë zhvendosur brenda vendit, kurse më shumë se 5,3 milionë kanë ikur në vende të tjera, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët./Anadolu Agency/