Putin ia ka ndërprerë furnizimin grupit Wagner, e thotë vetë Prigozhin


Krisja mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe oligarkut Yevgeny Prigozhin, i cili drejton grupimin e mercenarëve Wagner, është bërë e ditur prej kohësh.

Por ajo mund të jetë më e thellë nga sa mendohej më parë.

Në bazë të një deklarate të fundit nga vetë Prigozhin, gjithë furnizimet për grupacionin e tij paramilitar, janë ndërprerë nga Kremlini, përfshi këtu aspektin ekonomik, si edhe atë të municioneve luftarake.

Kjo, pavarësisht se Wagner-i po qëndron në vijën kryesore të frontit lindor në rajonin e Donbassit, ku së fundmi është deklaruar se kanë marrë edhe kontrollin e qytetit të Bakhmutit, pas shumë javësh luftime të ashpra.

Vetëm në tre muajt e fundit, Wagner raportohet se e ka humbur gjysmën e fuqisë së vet ushtarake dhe këtë gjë e ka pranuar edhe vetë Prigozhin, i cili ka kërkuar edhe hapjen e rekrutimeve të reja në disa zona të Rusisë, për të zëvendësuar stafin.

“Na janë prerë të gjitha”, pranoi ai lidhur me furnizimet, duke shtuar se terreni në të cilin po luftohet në Ukrainë është tejet i vështirë dhe disfata – përpos fitoreve – ka qenë e madhe.

Vetë Putin, ka marrë kritika të vazhdueshme nga oligarku rus dhe sa duket, ai nuk i ka kapërdirë mirë ato, duke kërkuar edhe errësimin tërësor të figurës së Prigozhin nga televizioni publik rus.

Do të ishte tërheqja e trupave ruse nga Khersoni, ajo e cila do ta sillte krisjen e parë mes oligarkut rus dhe Putinit, pasi Prigozhin u bë një kundërpeshë brenda vetë pushtetit në rusi.

Ai, si një mik pa kushte i shefit të Kremlinit, ka kritikuar gjithnjë gjithçka perëndimi ka bërë e thënë kundrejt Moskës.

Mirëpo me humbjet e shtuara të ushtrisë së tij të vogël në luftë (rreth 30 mijë sa llogarit inteligjenca amerikane dhe ajo britanike), Prigozhin ka filluar të tregojë shqetësim të madh për numrat dhe nuk e ka pëlqyer vlerësimin e marrë nga Moska, me mungesa furnizimesh.

Do të mbetet me kaq mes të dyve? Çështja mbetet e hapur!