Putin: Do shtypim butonin e kuq, Evropa “do shkatërrohet”

Pas një takimi pesë orësh me presidentin francez, Emmanuel Macron, shefi i Kremlinit Vladimir Putin lëshoi një paralajmërim të zymtë: Nëse Ukraina i bashkohet NATO-s, vendet europiane do të tërhiqen në një konflikt ushtarak me Rusinë. Kjo mundësi artikulohet për herë të parë nga ai.

“A e kuptoni, se nëse Ukraina anëtarësohet në NATO, dhe vendos të marrë mbrapsht Krimenë me mjete ushtarake, vendet europiane do të hyjnë automatikisht në luftë me Rusinë? Sigurisht, potenciali i NATOs- së bashkuar dhe Rusisë nuk krahasohet, edhe në terma nuklearë, por askush nuk ka për të dalë fitimtar, kjo luftë nuk do të ketë fitues, dhe ju do të tërhiqeni në këtë konflikt kundër vullnetit tuaj”, tha Putin.

Putin sidoqoftë, nuk ka rrëzuar çdo propozim të Macronit.

Shumë prej ideve të tij janë në termat e hapave që do të hidhen në të ardhmen, por besoj se nuk është e pamundur të avansohet mbi disa propozime që paraqiti, u shpreh Putin.

Kremlini sidoqoftë, i quajti të pavërteta pohimet e palës franceze se Rusia është pajtuar që të mos ketë nisma të reja ushtarake afër Ukrainës. Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë forca përgjatë kufirit lindor të Ukrainës dhe në Bjellorusi.

Perëndimi mendon se Putin mund të urdhërojë në çdo moment pushtimin e kësaj republike ish-sovjetike. Edhe pse e pohoi se Moska do të angazhohet për arritjen e një kompromisi të përshtatshëm për të gjithë, kreu i shtetit rus e ritheksoi vendosmërinë e tij në kërkesën për mos-anëtarësimin e Ukrainës në NATO.