Punonjësit në Drejtorinë e Librave Amë vazhdojnë të marrin rroga më të ulëta se 15 mijë denarë


Edhe përkundër hyrjes në fuqi të ligjit për pagën minimale prej 18 mijë denarësh, në drejtorinë e librave amë vazhdojnë akoma punonjësit të paguhen më poshtë se paga minimale e vjetër prej 15 200 denarësh, shkruan InfoShqip.

Në redaksinë tonë kanë arritur disa denoncime ku punonjës të kësaj drejtorie, për muajin mars kanë marrë pagë prej 14 600 denarësh, ata shprehen se nuk është respektuar paga minimale edhe me ligjin e vjetër ku ajo nuk duhej të ishte më pak se 15 200 denarë, ndërsa tani edhe përkundër hyrjes në fuqi të ligjit të ri, në pagën e muajit mars ata shprehen se nuk ka asnjë ndryshim.

Bashkëngjitur me denoncimin e tyre punonjësit e kësaj drejtorie kanë sjellur edhe fakte nga transaksioni bankar ku qartë shihet vlera e pagës neto prej 14 600 denarësh.

Punonjësit shprehen të revoltuar nga ky pasivitet dhe mos rreagim i organeve kompetente për të përditësuar pagën e tyre në përputhje me ligjin në këtë kohë krize ku çmimet e çdo sfere shënojnë rritje të theksuar nga dita në ditë.