“Punëtorët kanë frikë, jemi me paga brenda”, kosovarët në Kazakistan ankohen, Mabetex’i i Behgjet Pacollit që disa muaj po ua vonon rrogat

Disa kosovarë të punësuar në kompaninë e ndërtimit Mabetex në Kazakistan thonë për Radion Evropa e Lirë se ka disa muaj që nuk i kanë marrë pagat. Përfaqësues të kompanisë që është në pronësi të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i mohojnë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk ka “vonesa serioze” në pagesa.

Punëtorët që flasin për REL-in në kushte anonimiteti, ankohen edhe për kushtet e punës në këtë kompani – nga, siç thonë, rregullat strikte deri tek ushqimi që u shërbehet. Kompania Mabetex është themeluar në Zvicër në vitin 1999 dhe ka qenë e angazhuar në ndërtime dhe rinovime në disa vende të botës. Ajo ka filiale në 18 vende dhe rreth 14.000 punëtorë. Në kuadër të Mabetex-it, në Kazakistan gjenden rreth 2.000 shtetas të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi.

“Pa paga për pesë muaj”
Njëri nga ta është Egzoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it. Ai thotë se paga i është vonuar qe pesë muaj. Këto të ardhura, thotë ai, i ka jashtëzakonisht të rëndësishme për familjen 4-anëtarëshe që ka në Kosovë.

“Pak është e vështirë… Deri sa mua të më dalin rrogat, prindi im detyrohet të gjejë diku para borxh, ose të marrë ndonjë kredi të vogël, ose diçka kështu…”, thotë Egzoni. Dimri, sipas tij, e vështirëson edhe më shumë këtë situatë, pasi “duhet të blihen drutë për ngrohje e gjërat tjera”. Egzoni punon në Mabetex për më shumë se një vit, por thotë se është e vështirë për të dhe kolegët e tij të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.

“Punëtorët kanë frikë, sepse ne jemi me paga brenda. Nëse ne çohemi e bëjmë diçka, ai [kompania] na dënon me ato paga dhe nuk na i jep paratë fare”, thotë Egzoni, punëtor në të 20-tat. Punëtorët kosovarë në Kazakistan e marrin një pjesë të pagës atje, ndërsa pjesën tjetër – më të madhe – në Kosovë. Sipas punëtorëve që flasin për REL-in, vonesa ka ndodhur në mjetet që duhet t’u dalin në Kosovë. Ata paguhen nga 6 euro për orë.

Mabetex: Pagat mujore dalin pa vonesa
Valon Lluka, përfaqësues i kompanisë Mabetex, e mohon këtë vonesë.

“Punëtorët kosovarë që punojnë në filialet e Mabetex Group në Kazakistan, tash e më shumë se 25 vjet, marrin rrogën mujore rregullisht, pa vonesa, si dhe një pjesë tjetër që u paguhet çdo tre muaj në llogaritë e tyre”, thotë Lluka për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se në raste të caktuara “mund të ketë ndonjë vonesë, për shkak të natyrës së punës”, por, siç thotë, “asnjëherë nuk ka ndodhur që [punëtorët] të mos paguhen apo të ketë vonesa serioze”. Kastrioti, një tjetër punëtor i Mabetex-it në Kazakistan, thotë se paga i është vonuar dhe se për këtë askush nuk i ka dhënë shpjegime.

“[Na thonë] kështu është këtu, nëse të pëlqen mirë, nëse nuk të pëlqen, rrugën e di”, thotë ky 25-vjeçar. Ai thotë se problemi me pagat dhe të tjera e kanë shtyrë të mendojë për kthimin në shtëpi.
“E kam bërë plan ta shtyj deri në verë dhe të ec për në Kosovë”, thotë ai. Punëtorët ankohen edhe për mungesë të kontratës së punës.

“E kemi kërkuar kontratën, por kanë thënë se kontrata është në Kosovë. Unë në Kosovë nuk kam marrë kurrfarë kontrate, nuk kam nënshkruar kontratë”, thotë Egzoni. Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Mabetex për çështjen e kontratave, por nuk ka marrë përgjigje.

Ankesa për rregullat e rrepta dhe ushqimin
Punëtorët, në anën tjetër, ankohen edhe për rregulla të rrepta në lidhje me përdorimin e telefonave. Me të hyrë në vendin e tyre të punës, ata duhet ta dorëzojnë telefonin dhe nuk kanë qasje në të deri në përfundim të orarit. Sipas Egzonit, shpesh, telefonat nuk u lejohen as gjatë pushimit të drekës dhe kjo i frikëson, pasi nuk mund të kenë kontakt me familjen as në raste urgjencash, gjatë kohës sa janë në punë.

“Shumë punëtorë rrezikojnë dhe i marrin telefonat në të zezë dhe i fusin brenda. Nëse të zënë duke e futur telefonin brenda, automatikisht dënohesh 100 deri në 500 dollarë”, thotë Egzoni. Ai vetë tregon se është dënuar një herë, pasi ka bërë përpjekje ta marrë telefonin me vete. Nga Mabetex-i thonë se shfrytëzimi i telefonave nuk është i ndaluar kudo, por “në kantieret e ndërtimit, ku kemi kujdes të shtuar të sigurisë në punë dhe në vende të natyrës sensitive”.

“Çdo kompani apo korporatë serioze ka edhe rregullat e saj të punës për punëtorët e saj. Punëtorët, në momentin e punësimit, dakordohen për ato rregulla pasi iu komunikohen, rregulla që pastaj duhet t’i respektojnë”, thonë nga Mabetex. Një tjetër pakënaqësi e punëtorëve lidhet me ushqimin.

“Në përgjithësi nuk është që mund ta hash atë ushqim… E ha ushqimin, ke barkqitje. Kemi problem shumë me këtë, jo vetëm unë, por shumë punëtorë janë ankuar”, thotë Egzoni. Ushqimi që shërbehet “është katastrofë”, thotë edhe Kastrioti. Por, kjo ankesë, sipas Mabetex-it, është e padëgjuar më parë.

“Ushqimi në çdo kantiere të ndërtimit është me standarde të larta nga kuzhinierë profesionistë… dhe është dëshmuar qysh nga fillimi edhe nga vetë punëtorët. Është e çuditshme dhe hera e parë që kemi këtë informacion, që punëtorët, gjoja, nuk qenkan të kënaqur me cilësinë e ushqimit”, thuhet në deklaratën e Mabetex-it për REL-in. Viteve të fundit, shumë kosovarë kanë arritur të sigurojnë punë në Kazakistan kryesisht përmes kompanisë Mabetex Group.

Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, kompania e Behgjet Pacollit, Mabetex, ka projektuar dhe ndërtuar disa objekte: atë të Parlamentit, Pallatit Presidencial, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Jashtme, pastaj rezidenca shtetërore, qendra sportive, objekte kulturore e të tjera.

Në janar të këtij viti, Kazakistani është përballur me një valë protestash masive, që kanë shpërthyer si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve, por që janë shndërruar shpejt në organizime masive kundër Qeverisë. Atë periudhë, autoritetet kazake kanë ndalur internetin dhe kanë kufizuar operacionet telefonike për pesë ditë. Nga kjo ndërprerje janë prekur edhe kosovarët që jetojnë në Kazakistan. /REL