Punëtorët e një marketi në Prishtinë e fusin në depo dhe e rrahin personin që tentoi të kryejë vjedhje


Një fenomen mjaft shqetësues janë bërë vjedhjet e shpeshta, sidomos në markete, që po shkaktojnë ankth, pasiguri e humbje. Të dyshuarit shpeshherë arrijnë që të shpëtojnë nga prangat e Policisë, por ka raste kur kapen ose përmes kamerave, ose nga punëtorët e këtyre bizneseve.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një market në Prishtinë, ku një person u kap në flagrancë nga punëtorët teksa tentoi të kryejë vjedhje.

Sinjali mëson se tre punëtorët e marketit, tashmë të dyshuar, e kanë dërguar viktimën në një depo dhe më pas e kanë rrahur, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.