Punësimet sipas çelësit etnik, Bytyqi ndërron mendje: Po, por pas konsultimeve


Për idenë e punësimeve, sipas çelësit etnik, do të vendos Qeveria, por pasi për të njëjtën do të konsultojë odat ekonomike, sindikatat, por dhe qytetarët. Me këtë qëndrim të ri doli zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, sipas të cilit për Qeverinë të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe në fund çdo vendim që do të merret do të jetë në të mirë të të gjithëve.

“Sa i përket punësimeve etnike, mendoj që kishte qëndrim të qartë edhe kryeministri se ne qëndrojmë të hapur ndaj çdo çështjeje. Çdo çështje meriton përgjigjen tonë, por zgjidhjen tonë të përbashkët do ta gjejmë në Qeveri. Dhe të presim epilogun, të shohim se cilat janë idetë e të gjitha palëve në fund t’i pyesim odat ekonomike, t’i pyesim sindikatat, t’i pyesim qytetarët se çfarë mendojnë rreth kësaj çështje.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.