Publikohet urdhër arresti ndaj Hysni Gucatit, dyshohet për tri raste

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar edhe urdhërarrestin me të cilin u arrestua Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës Hysni Gucati.

Në urdhërarrestin e publikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se kërkesa për urdhërarrest është bërë më datë 22 shtator, tri ditë më parë.

Madje në publikimin e urdhërarrestit janë theksuar edhe tre raste për të cilat po dyshohet Gucati.

“Ekziston dyshimi i bazuar se Hysni Gucati është penalisht përgjegjës për kryerjen e veprës penale të kanosjes. Konkretisht ekziston dyshimi se z. Gucati mbajti tre konferenca për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator 2020, ku shpërndau dhe u vuri në dispozicion mediave informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike në lidhje me punën e Prokurorisë së Specializuar dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje kur Nasim Haradinaj përmendi me emër dëshmitarë të caktuar (të mundshëm) si dhe dhanë informacione në lidhje me dëshmitarët e tyre si vendbanimin dhe detaje të tjera personale”, thuhet në urdhërarrest.

Në lidhje me këtë rast, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ‘kjo sjellje përbën kërcënim serioz që nxit një person tjetër të bëj një deklaratë të rremë ose nuk arrin të deklaroj informacionin e vërtetë te Zyra e Prokurorit të Specializuar apo në Dhomat e Specializuara’.

Pika e dytë e cila përmendet në urdhërarrest është edhe se Gucati është përgjegjës për kryerjen e veprës penale të hakmarrjes.

“Ekziston një dyshim i bazuar se Z. Gucati mbajti tre konferenca për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator 2020, ku ai shpërndau ose u vuri në dispozicion mediave, informacione konfidenciale dhe jopublike dhe dokumente në lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve (të mundshëm), duke i ekspozuar kështu këta individë ndaj kërcënimeve të mundshme. Kjo sjellje përbën një veprim të dëmshëm me qëllim që të hakmerret për sigurimin e informacionit të vërtetë për Task Forcën Speciale Hetuese”, thuhet në fletarrestin.

Gjithashtu Gucati po dyshohet edhe për shkelje të procedurave sekrete.

“Ekziston dyshimi i bazuar që z. Gucati mbajti tre konferenca shtypi më 7, 16 dhe 22 Shtator 2020, ku ai shpërndau ose u vuri në dispozicion mediave, informacione konfidenciale dhe jopublike dhe dokumentet në lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë këtu emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve (të mundshëm)”, është edhe pika e tretë për të cilat u arrestua Gucati.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konstatuar se arrestimi i kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka qenë i nevojshëm për shkak të rrezikut të ikjes, ndërgjegjësimit për njoftimin e veprave të pretenduara në këtë urdhër arrest si dhe dënimet e mundshme që mund t’i bashkëngjiten atij, qasja në fonde të konsiderueshme si kryetar i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aftësia për të udhëtuar në mënyrë legale apo ilegale.

Gjithashtu Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë edhe se arrestimi i Gucatit ka qenë i nevojshëm pasi në rrethana specifike ai ka nxitur dhe penguar mbarëvajtjen e procedurave penale duke pasur parasysh shpërndarjen e informacioneve dhe dokumenteve konfidenciale dhe jopublike të Task Forcës Hetuese Speciale ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe gjithashtu inkurajoi pjesëtaret e mediave që të bëjnë zbulime të këtyre informacioneve të fshehura apo konfidenciale.

“Për më tepër, ka arsye të artikulueshme për të besuar se arrestimi i Z. Gucati është i nevojshëm sepse rrethanat specifike tregojnë se ai do të përsërisë ose do të përpiqet të përsëris veprat penale, duke konsideruar se ai e bëri të qartë qëllimin duke vazhduar që të bëj informatat dhe dokumentet konfidenciale publike në lidhje me dëshmitarët e mundshëm dhe Task Forcën Speciale të hetuesisë duke vënë në rrezik të vazhdueshëm, kërcënim dhe frikësim të dëshmitarëve të mundshëm përmes zbulimit të informacioneve jo publike”, thuhet tutje në urdhërarrest.